Ministria e Industrisë, Ndërmarrësish dhe Tregtisë në Kosovë ka revokuar dhe pezulluar lejet për katër kompani të derivateve të naftës në Kosovë. Ministrja Rozeta Hajdari tha se lejet janë pezulluar për import, deponim të lëndës së parë, si dhe për shitjen me shumicë të këtij produkti.
Për pezullimin e lejeve, ajo tha se MINT-i është bazuar në fakte, të cilat i ka konstatuar Dogana. Petrol Company, Kosova Rafinery, Kulla Exim, In Oil janë kompanitë, të cilave u janë pezulluar lejet, tha ministrja Hajdari në një konferencë për media.
Ndaj këtyre operatorëve, ministrja Hajdari tha se janë duke u zhvilluar procedura hetimore për cilësinë të derivateve të naftës. Ajo ka bërë të ditur se njërit subjekt i është pezulluar edhe leja për importin e vajrave të rënda dhe ndaj tij po zhvillohet procedura hetimore nën dyshimet për mashtrim me cilësi të karburanteve, të cilat subjekti ua ka shitur institucioneve publike.
“Gjatë javëve të fundit kemi marrë dhe testuar disa mostra të dizelit në kazermat të FSK-së. Me Inspektoratin e Tregut kemi gjetur shumë raste të jokonfirmitetit. Në një rast kemi gjetur dizel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 mg/kg, që e tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 mg/kg. Për këto raste do ta njoftojmë edhe Prokurorinë”, theksoi Hajdari.
Ajo shtoi se në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore, Inspektorati po ashtu ka gjetur se një numër i madh i shitësve ka tejkaluar marzhën tregtare të lejuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës./ REL