Nëpër studiot televizive të debateve politike, më se njëherë është diskutuar për cilësinë intelektuale të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe, duke bërë krahasim midis ligjvënësve të sotëm me ata që startuan fillimin e demokracisë, cilësinë më të madhe ua atribuojnë këtyre të fundit që dolën pas zgjedhjeve të vitit 1992 dhe 1996.
Gjithnjë kam bërë çudi me këtë konstatim tërësisht të gabuar, i cili nisej vetëm nga niveli i tyre arsimor me tituj e grada shkencore dhe i një sërë profesioneve të nderuara që ata deputetë përfaqësonin. Në këtë aspekt, nuk ua vë në dyshim përgatitjen secilit në fushën përkatëse ku ata kishin dhënë kontribut për vendin.
Por, tjetërsimi në ushtarë besnikë të liderit suprem Sali Berisha, i zhvlerësoi çdo meritë të merituar ende pa hyrë në botën e politikës. Nuk dua të veçoj emra të përveçëm, por të gjithë grupin parlamentar të shumicës që drejtoi Shqipërinë në vitet 1992 – 1997. Kush me votë prej protagonisti e kush me heshtje konformisti, praktikisht ata hodhën në koshin e plehrave çdo arritje intelektuale që kishin në jetëshkrimin e tyre
Dhe për ta argumentuar këtë po jap në mënyrë të përmbledhur vetëm disa fragmente mes shumë aspekteve tmerrësisht negative që shoqëruan jetën politike e shoqërore të Shqipërisë së atyre viteve.
Duke qenë se në zgjedhjet e 22 marsit 1992 dhe në vjedhjet e 26 majit 1996 Partia Demokratike pati dominim absolut të Kuvendit me mbi 2/3 e ulëseve, praktikisht kishte dorë të lirë që të ndërmerrte reforma të thella dhe t’i sillte Shqipërisë një prosperitet të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe demokratik. Po çfarë ndodhi në realitet?
1.E drejta e pronës
Kuvendi “elitar” i vitit 1992 kishte mundësinë e papërsëritshme që ta shpëtonte Shqipërinë nga një plagë e madhe që nisi në vitin 1991 e që do ta vuajë për disa dekada. E kam fjalën për pronat e të ashtuquajturve padrejtësisht “ish-pronarë”. Me një shumicë absolute, deputetët [antikomunistë të rremë] të Partisë Demokratike, duhet të bënin të parin veprim duke kthyer me ligj në mënyrë të menjëhershme pronën e grabitur në vitin 1945 pronarëve legjitimë.
Me dokumentacion të rregullt, të cilin regjimi komunist fatmirësisht e kishte ruajtur në pjesën dërrmuese të paprekur në arkivat e shtetit, toka duhet t’i kthehej atij që i takonte dhe që i ishte grabitur me dhunë. Të mos harrojmë që në vitin 1992 kishte qindra mijë hektarë tokë të lirë të papushtuar nga invazioni berishist i “tokës së xamun”.
Pasi t’u kishte dhënë pronarëve legjitimë pronën sipas parimit “Toka i kthehet atij që i takon”, më pas, ajo që mbetej nga kjo ndarje, t’u jepej fshatarësisë ish-kooperativiste sipas parimit të ligjit 7501 “Toka i jepet atij që e punon”. Nuk e bënë, për turpin e tyre dhe për fatin tonë të keq që duhet të paguajmë brez pas brezi borxhet e asaj kohe.
2.Drejtësia
“Elitat” që përbënin atë Kuvend nuk duhet të kishin lejuar ngritjen e një sistemi drejtësie me gjykatës dhe prokurorë “Plepash”, të cilët ishin brezi i parë që ngriti në sistem korrupsionin në fushën e drejtësisë duke u shndërruar në korporatën më të fuqishme kriminale brenda shtetit. Të paprekshëm dhe me dorën e lirë për të bërë padrejtësi, mjafton që t’u shërbenin me besnikëri padronëve që i kishin emëruar, e çuan pushtetin e tretë për nga rëndësia, ndër fatkeqësitë më të mëdha të vendit tonë.
3.Dosjet e Sigurimit
Ai Kuvend, me “elitë intelektuale”, duhet të kishte bërë atë që bëri në fakt Kuvendi i vitit 2016 me inisiativë të Partisë Socialiste, duke ngritur me ligj Autoritetin për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Hapja e atyre dosjeve në vitin 1992 (dhe jo në vitin 2016) do ishte një moment historik, sepse do e pastronte jo vetëm politikën shqiptare prej bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret (që në PD ishin me shumicë), por do kishte ndarë shapin nga sheqeri edhe brendapërbrenda ish të përndjekurve dhe ish të dënuarve politikë, ku një pjesë kishin bërë burg si kundërshtarë të regjimit, e një pjesë ishin dënuar për përdhunime, vjedhje e poshtërsi të tjera, po që u kamufluan si antikomunistë duke përfituar padrejtësisht të mira materiale më shumë se sa ata që e meritonin vërtetë.
4.Media televizive
Kuvendi me “elitë intelektuale” i vitit 1992, nuk i dha dritën jeshile hapjes së lirisë së fjalës nëpërmjet lejimit të medieve alternative radiotelevizive. I pari televizion privat starton në fund të vitit 1995, po edhe ai pa ndonjë frymë opozitare me qeverinë e kohës. Lejimi i një inisiative të tillë qysh në vitin 1992 do ta kishe bërë jetën politike më shumë demokratike dhe besoj fort se do kishte parandaluar shumë gjëma që ndodhën më pas.
5.Kushtetuta e re
Kuvendi “elitar” i vitit 1992, tentoi të miratojë me votat e demokratëve një projekt-Kushtetutë të njëanshme që rriste kompetencat e presidentit Berisha, por që fatmirësisht një parti e koalicionit qeveritar (PSD) doli kundër dhe ai projekt nuk kaloi sepse nuk u arrit shumica e 2/3 të votave. Por kjo gjë nuk i pengoi parlamentarët “elitarë” që të miratonin heshturazi marrëzinë e Berishës për ta çuar në referendum popullor atë projekt i cili, po fatmirësisht, u rrëzua edhe aty.
6.Lulëzimi i skemave piramidale
Ai Kuvend, me atë përbërje që sot quhet “elitë intelektuale”, lejoi funksionimin e lulëzimin e skemave piramidale pa ia vënë kufirin tek thana qeverisë së kohës, duke u bërë kështu konformistë nga frika se mos kjo do ndikonte negativisht në zgjedhjet e vitit 1996. Dihen pasojat që pasuan po atë vit.
7.Zgjedhjet e 26 majit
Deputetët “elitarë” të dalë nga vjedhjet e 26 majit 1996, vijuan po në rrugën e paraardhësve të tyre të 4- vjeçarit të kaluar, duke qenë ushtarë besnikë të presidentit Berisha. Ashtu në heshtje, ata e justifikuan atë vjedhje zgjedhore. As kërkesa amerikane që zgjedhjet të përsëriteshin në 35 zona zgjedhore (të cilat nuk e rrezikon shumicën qeverisëse edhe sikur të 35-ta t’i fitonte opozita), nuk i ndërgjegjësoi “elitarët” e Kuvendit për ta sjellë me këmbë në tokë revanin që kishte marrë “kali” i Berishës. Prej atyre “elitave” kemi 24 vjet që nuk i numërojmë më votat nëpër qendrat e votimit, pikërisht prej mosbesimit të palëve politike.
8.Rënia e skemave piramidale
Po këta “elitarë”, vijuan marrëzinë e lejimit të skemave piramidale derisa ato ranë vetë. Kur ata menduan të ndërhyjnë ishte tepër vonë ku, siç thotë edhe ajo shprehja, “e kishte marrë ferra uratën”.
9.Përfshirja e SHIK-ut në shtypjen e revoltave
Janë po ata deputetë “elitarë” që më 2 mars 1997 votuan në Kuvend bashkimin në një njësi të vetme të shërbimit sekret me ministrinë e Brendshme dhe miratimin e marrëzisë së Berishës për të graduar gjeneralin e SHIK-ut (Gazideden) si komandant i shtypjes së revoltës popullore. Me këtë praktikisht e çuan Shqipërinë akoma më në greminë, ndërkohë që gjithçka mund të zgjidhej fare thjesht me një lëvizje taktike politike, duke e shkarkuar qeverinë ende pa u rënduar situata dhe duke emëruar si kryeministër një emër me reputacion të mirë publik po brenda radhëve të PD-së, i cili do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Kësisoj do të ishte shmangur edhe hapja e depove të ushtrisë më 13 mars, pasojat e së cilës po i vuajmë edhe sot e kësaj dite.
10.Rizgjedhja e Berishës
Sërish deputetët “elitarë” votuan verbërisht më 3 mars 1997, mes duartrokitjeve frenetike, Sali Berishën si president. Ishte kulmi i revoltave popullore dhe ata, “elitarët”, kurrsesi nuk duhet t’ia lejonin vetes që shkaktarin kryesor të rrënimit financiar të Shqipërisë ta bekonin për një mandat të dytë.
Konkluzione
Këto janë dhjetë nga momentet më kryesore që mendova të shkëpus nga historiku i ngjarjeve që përfshijnë periudhën mars 1992 – qershor 1997, për të cilën disa nga analistët e sotëm na bëjnë moral se kemi pasur një elitë të papërsëritshme intelektuale deputetësh. Në raport me fatkeqësitë që na solli ajo “elitë”, unë vlerësoj më shumë deputetët e sotëm që zëvendësuan ikacakët e PD-së, të cilët nuk mbartin asnjë prej mëkateve kriminale me të cilat identifikohen direkt apo indirekt “elitarët” e djeshëm.
Ndaj, mundësisht, sa herë të na i paraqitni si “elitë intelektuale” ata të dikurshmit, kijini parasysh edhe këto që thashë më lart. Ose së paku, mos na i përmendni më, sepse jo të gjithë ne vuajmë nga amnezia e kujtesës.