Foto ilustruese

Cili është çmimi që paguajnë shqiptarët pas çdo konflikti politik dhe a është kjo një arsye pse kemi mbetur vendi më i varfër i Europës

12 Janar 2022, 11:11| Përditesimi: 12 Janar 2022, 11:13

  • Share

Konflikti dhe dhuna që shkaktohen kryesisht si pasojë e politikave të gabuara i kushtojnë botës shumë shtrenjtë. Çmimin më të lartë e paguajnë shoqëritë ku ndodhin konfliktet, kryesisht vendet që përfshihen në luftë, ato me demokraci të brishtë, ose shoqëritë që drejtohen nga politikanë të stilit autokratik.

Në vendin tonë janë ende të freskëta pasojat e konfliktit të armatosur të vitit ’97. Askush nuk mori asnjë përgjegjësi për kaosin e armatosur, përkundrazi, konfliktet e nxitura nga politikat konfliktuale të gabuara janë përsëritur gjatë gjithë viteve të tranzicionit, duke reflektuar shpesh edhe në dhunën dhe krimet që ndodhin brenda popullatës.

Raporti i një studimi publikuar vitin që sapo u mbyll tregon se vetëm paqja sjell prosperitet, inflacion më të ulët dhe krijon më shumë vende pune. Një reduktim 2% i konfliktit do të çlironte po aq para sa buxheti i ndihmës globale.

Raporti u kërkon qeverive kudo në botë të përmirësojnë paqen, veçanërisht gjatë COVID-19. Cili është çmimi i paqes?

Ose thënë ndryshe, sa më mirë do të ishim ne të gjithë në një botë ku çdo lloj konflikti dhe dhune do të mund të shmangej?

Rreth 14.4 trilionë dollarë në vitin 2019, sipas Institutit për Ekonominë dhe Paqen (IEP) ishte kostoja e konflikteve dhe e dhunës në botë. Ose rreth 5 dollarë në ditë për çdo person në planet. Për krahasim, 689 milionë njerëz – më shumë se 9% e popullsisë së botës – jetojnë me më pak se 1,90 dollarë të ardhura në ditë, sipas shifrave të Bankës Botërore, duke marrë në konsideratë ndikimin e mundshëm që mund të kenë aktivitetet e ndërtimit të paqes.

Në vlerësimin e kostove konflikti vlerësohet në rang global por një vend të mirë në raport me popullsinë përsa i përket këtij çmimi zë me siguri edhe Shqipëria.

Pak më shumë se 10% e PBB-së globale po shpenzohet për frenimin, parandalimin dhe trajtimin e pasojave të dhunës. Me mbi 1.4 milionë vdekje të dhunshme çdo vit, konflikti dhe dhuna pengojnë zhvillimin ekonomik, shkaktojnë destabilitet, zgjerojnë pabarazinë dhe gërryejnë kapitalin njerëzor kudo ai ndodh.

Shuma e lartë e shpenzuar për krijimin dhe kontrollin e akteve të dhunshme në krahasim me atë që shpenzohet për ndërtimin e shoqërive elastike, produktive dhe paqësore paguhet nga taksapaguesit dhe jo nga shkaktarët dhe përgjegjësit e konfliktit.

Kjo është arsyeja pse bota e zhvilluar bie ndesh me politikat konfliktuale që nxisin dhunë kudo në botë. Prandaj SHBA si një vend partner strategjik i Shqipërisë nuk pajtohet dhe i dënon ato ashpër. Për vende që nuk kanë mundur dot të ngrejnë një shtet ligjor që të jetë i aftë të nxjerrë vetë përgjegjësitë, kur ndodhin konflikte që rrezikojnë ta çojnë vendin në destabilitet, SHBA detyrohet të ndërhyjë për ta parandaluar konfliktin para se të paguajë një pjesë të mirë tē çmimit.

Sigurisht në botë ka aktualisht vende ku çmimi i paqes po paguhet shumë më shtrenjtë si Kosova dy dekada më parë, apo sot në Lindjen e Mesme për vende si Siria, Afganistani, Iraku etj.

Në Europë, duke ia kaluar edhe Kosovës që konfliktin e ka etnik, Shqipëria për shkakun e politikave të saj konfliktuale sot e kësaj dite mbetet fatkeqësisht një ndër vendet më problematike.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?