‘Çimka’, një performancë për përgjimet në Kosovë e Shqipëri, regjisorja: Musine Kokalari e Dervish Shaqa protagonistët, tabloja e Edison Gjergos si simbol censure

2 Maj 2022, 16:01| Përditesimi: 2 Maj 2022, 16:05

  • Share

Mbrëmja e një majit e ftoi publikun e teatrit në vorbullën e një performance teatrale të pazakontë... Regjisorja Zana Hoxha në “Shtëpinë më gjethe”, jetëson shfaqjen “Çimka”, të ideuar posaçërisht për këtë muze, ku u përgjuan mijëra personalitete e qytetarë të thjeshtë...

“Ideja lindi pikërisht nga kjo shtëpi kur kisha një vizitë në vitin 2020. Erdhi si nevojë që kjo histori që përcillet në muze, përmes formave të ndryshme artistike, përse jo të mos përcillej edhe përmes një performance, e cila i shërben edukimit të publikut, njohjes me histori të ndryshme, sikurse edhe një eksperiencë artistike e cila mund të jetë më e ngjeshur se sa leximi a një formë tjetër”, thotë regjisorja Zana Hoxha.

Në “shtëpinë me gjethe”, që u bë shkas i persekutimeve e torturave më çnjerëzore, spektatori përjeton përmes skenave në lëvizje, grimca të dhunës së gjeneruar nga historia e përgjimeve në diktaturë, e paralelisht asaj në Kosovë, gjatë regjimit jugosllav... Musine Kokalari dhe Devish Shaqa, janë udhërrëfyesit protagonistë të kësaj historie, që çdokush mund ta përjetojë në dy këndvështrime, i infiltruar si “gjethe”, apo si “çimkë”...

“Dy simbole të rezistencës në mënyra të ndryshme... një rapsod, qëndrestar përmes këngës, e tjetra, Musineja një aktiviste, artiste disidente e cila dha jetën pa humbur integritetin e saj... Dhe unë doja të bëhej ky gërshetim i këtyre dy aspekteve kulturore”, thotë Hoxha.

Tabloja e Edison Gjergos, bëhet një tjetër nyje lidhëse për aktet që ndërrohen nga njëra dhomë në tjetrën;  E në vend të “Epikës” vizive, publiku njihet me ankthin për fshehjen e pikturës, me dorën e çeliktë të censurës, me gjyqet që godisnin lirinë edhe në art.

“Atë tablo e kemi zbuluar këtu nga guida e këtij muzeu, dhe e kemi vendosur që si simbol të një rezistence, të një shpirti të lirë të një artisti ta kemi si pjesë të shfaqjes . Pra kemi edhe një histori tjetër të Edison Gjergos këtu edhe pse jo pikërisht atë tablo për të cilën ai u internua...”, shton më tej regjisorja.

Teatri i angazhuar i Zana Hoxhës, edhe në këtë eksperiencë që bashkon Teatrin Eksperimental me Qendrën për Art dhe Komunitet-Artpolis në Kosovë, kërkon të nxisë reflektim...

“Në mënyrë që historia të mos përsëritet ne duhet ta njohim atë, ta pranojmë dhe të mësojmë nga gabimet e së kaluarës”, shprehet më tej Hoxha.

Në performancën “Çimka” të shkruar nga Shpëtim Selmani, interpretuan aktorët Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj dhe Altea Dulellari. Ndërsa Greta Baci dhe Kevin Rrapaj, asistuan në regji. Performanca teatrale e konceptuar për “Shtëpinë me gjethe” do të ketë edhe 9 prezantime të tjera në këtë muze.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?