Punë, shkëlqim, rrënim, trishtim dhe braktisje! Kush e krijoi dhe në cilat rrethana u la mënjanë? Një kryevepër e harruar e Arkitekturës Kulturore Shqiptare në Patosin e naftës dhe të kulturës kur Tirana ende cirkun e saj e kishte me çadër!
U bisedua me: Pëllumb Hajdinin, ish akrobat i Cirkut të Patosit. Gjergji Islamin, Profesor, Arkitekt, Studiues
Cirku i braktisur i Patosit, vepër e harruar nga njeriu ku sot i duartroket në heshtje vetëm fiku i egër që ka mbirë në arenë! Amarcord me Eljan Taninin, çdo të diel, ora 21:00 në Report Tv.
Një Kryevepër e Harruar e Arkitekturës Kulturore Shqiptare në Patosin e Naftës dhe të Kulturës!
Kam lindur në Tiranë ku është zhdukur thuajse çdo gjë e vjetër mbi tokë! Vendosa të lëviz në Patos pasi mora vesh për një vepër arkitektonike dhe rrethore shqiptare. Mjetet që kam marrë me vete janë të thjeshta. Përveç makinës së punës, kamerës së Gustit, duheshin patjetër edhe një palë shkallë hekuri të lehta. Gjendem përpara Ish Cirkut. Buron energji pavarësisht se e kanë mbuluar rrezet e melankolisë, trishtimit kur je larg Tiranës. Mbase është trishtim i mirë!
Nuk kam parë dhe ndjerë diçka më të bukur prej kohës së diktaturës si ky cirk i dedikuar! Në një kohë kur Tirana kishte një çadër plastike për Cirkun Kombëtar, Patosi pati fatin të ndërtonte një cirk me arkitekturë të veçantë, një vepër madhështore e artit dhe shpirtit krijues. E krijuar dhe ndërtuar me beton të skalitur ose parafabrikuar, kjo ndërtesë mbetet një prej strukturave më të rralla dhe më unike të fundviteve të diktaturës në Shqipëri. Por përse pikërisht Patosi? Çfarë lidhje ka nafta me këtë stil jete? Pse ky cirk mbetet i panjohur dhe i harruar? Përse nuk ka asnjë projekt për ta restauruar dhe kthyer në funksion? Kush e ndërtoi atë?
Një Investim i Dedikuar për Artin dhe Kulturën, unë mendoj se ky cirk nuk ishte thjesht një ndërtesë kulturore, por një investim i menduar dhe i dedikuar për një komunitet që kishte arritur sukses në artin e cirkut. Ishte një kohë kur Patosi kishte një traditë të fortë në këtë fushë, ndaj dhe u vendos ndërtimi i një arene të posaçme.
Ishte e vështirë hyrja në të! Prandaj me një palë shkallë modeste u ngjita në katin e dytë. Gjendet pas Pallatit të Madh të Kulturës në Patos.
"Ndërtesa u konceptua për të qenë një qendër e vërtetë e arti. Strukturat e saj të betonit dhe dizajni unikal e bëjnë atë një nga më të rrallat në Shqipërinë e asaj periudhe”.
Hyj brenda përmes dritareve të çara. Por sot, ky objekt i veçantë është i braktisur. Një fik i egër ka mbirë në mes të arenës, duke e pushtuar ngadalë hapësirën dikurshme të dedikuar për gjallëri. Kam dëgjuar se kjo ishte një histori ndërtimi e lënë në mes! Për të kuptuar më shumë rreth këtij cirku, unë bisdedova me Pëllumb Hajdinin, ish-akrobat i Cirkut të Patosit. Ai kujton me nostalgji vitet kur nisi ndërtimi i arenës:
"Punimet filluan rreth vitit 1988. Ishim një grup artistësh të suksesshëm dhe ndaj u vendos të ngrihej kjo arenë e dedikuar për ne. Ndërtimi vazhdoi për gati një vit e gjysmë, por në vitin 1992, fondet u ndërprenë dhe gjithçka mbeti në gjendjen që shohim sot."
Sipas Hajdinit, ndërtesa ishte projektuar për të pasur fasada me granilim dhe xhama nga të gjitha anët, duke krijuar një ambient unik dhe modern për kohën. Hajdini ndër të tjera kujton edhe faktin e veçantë:
"Patosi ishte një qytet i pasur, falë naftës. Kishte para dhe makineri. Kishim të gjitha mundësitë për të ndërtuar një cirk të bukur. Kjo ndërtesë mund të ishte një perlë e kulturës shqiptare. Në fillim u bënë kolonat te Fusha e Ndërtimit, ne i hapëm vetë gropat, bazamentin etj…"
Pasi kam hyrë me kureshtjen që të fal arkeologjia industriale brenda ish mjediseve të ish cirkut, kuptova se cirku mbahet ende në këmbë pa shumë probleme apo halle. Ka degraduar pak nga jashtë për shkak të natyrës, por ka ende kohë për ta kthyer në një kryvepër të kulturës.
Po të isha besimtar me para, do e blija dhe do e ktheja në ndërtesë kulti, kishë apo xhami! Po të kisha para, do e ktheja në një nga diskot më të bukura në rajon! Po të kisha para, do e ktheja në një laborator shkence, arti, teknologjie apo çdo gjë tjetër…
Po të isha politikan me vizion dhe vullnet, do e ktheja në diçka me vlerë për komunitetin duke mos e harruar gjenialitetin primar dhe vazhdimin dytësor.
Po të isha, ja që nuk jam! Për të gjitha dyshimet e mia urbanistike dhe arkitektonike, zakonisht konsultohem me profesorin dhe studiuesin e arkitekturës Gjergji Islamin. E pyes për disa habira të gjetura rrugës. Arkitekti dhe studiuesi Gjergji Islami e konsideron këtë ndërtesë një zbulim të jashtëzakonshëm:
"Nuk kemi një të dytë si kjo në Shqipëri! Është një ndërtesë specifike për cirkun, e ndërtuar me kujdes dhe vizion. Struktura është unike, e parafabrikuar dhe rrethore, duke ndjekur format tipike të arenave të cirkut. Ajo mbetet një shembull i rrallë i arkitekturës socialiste."
Sipas Islamit, ndërtesat kulturore të asaj kohe kishin një rëndësi të madhe për komunitetet, duke shërbyer si qendra arti, argëtimi dhe shpërndarjeje të ideologjisë së kohës. Gjergji Islami shton edhe faktin tjetër se:
"Në rastin e Cirkut të Patosit, kemi një peshë të pazakontë, sepse zakonisht cirku ka qenë i lidhur me strukturat e përkohshme të çadrave. Ky është një rast unik që duhet studiuar dhe restauruar. Një Trashëgimi që Nuk Duhet Humbur. Sot, Cirku i Patosit mbetet një vepër e lënë në harresë, por potenciali i tij për t’u kthyer në një qendër arti dhe atraksion kulturor është i madh. Më ka surprizuar shumë ky objekt kur nisa njohjen me të. Nuk kemi një të dytë! Ndërtesë specifike për cirkun është rasti i parë!
Qyteti dhe cirku kanë një lidhje të përbashkët. Është harxhuar energji për këte vepër arkitektonike të veçantë. Ajo është ndërtesë e parafabrikuar, rrethore, tipike e arenave të cirkut në bazë formës dhe funksionit. Haset për herë të parë në Shqipëri me vlerat e saja të veçanta. Kjo është e gjitha për tu studiuar. Ajo duket si një çmim që i është dhënë qytetit sepse i ështe kushtuar vëmendje prej ndërtuesve lokalë duke lënë kështu një gjurmë me rëndësi. Për mua është zbulim'.
Ndërtesat e kulturës mbeten më shumë rëndësi për kohën në lidhjë më komunikimin që ato kishin me publikun. Përveç argëtimit të masave atje bëhej edhe shpërndarja e ideologjisë dhe propagandës si mjete të mirëfillta komunkimi, ashtu siç ishin edhe vetë vatrat e kulturës, të cilat ishin të domosdoshme për kohën; kontakt me njerëzit si e vetmja mënyrë bashkëpunimi duke konsumuar vetëm atë që të vihej përpara. Ndërtesat kulturore kishin mjaft rëndësi për kohën.
Në rastin e Cirkut të Patosit ne kemi një peshë të pazakontë, sepse jemi mësuar ta shohim cirkun në trajtë çadre. Kjo strukturë ka funksionuar shumë mirë për aktivitete kulturore dhe politike. Është shumë e rëndsishme që ne të përpiqemi të njohim arkitekturën e socializmit, jo cdo gjë në atë kohë është bërë keq ose mirë’’.
Duke ndjekur një reflektim të brendshëm pa u ngrohur në reflektor, mendoj se kjo mrekulli nuk mund të zhduket.
A do të ketë një projekt për restaurimin e cirkut? A do të mund të rikthehet në funksion dhe të mbahet si në një aset të rëndësishëm për qytetin?
Cirku i Patosit është një perlë arkitekturore dhe historike që nuk duhet të mbetet e braktisur. Duhen hapa konkretë për ta ruajtur dhe për ta bërë sërish pjesë të kulturës shqiptare.
Iki prej atje me erën e llaçit të lënë përgjysmë, të flakur andej, të hedhur mbi tokë, dhe me pluhurin e gjetheve të fikut që u gëzuan se dikush i takoi në arenën e Ish Cirkut. U kërkoj ndjesë gjetheve të fikut të egër që u prisha qetësinë arkeologjike! Nuk i lutem në falje askujt që më trishton në këtë vend dëshirën për të harruar kujtesën e përbashkët.
Komente
