“Kartolinë për 65-vjetor” titullohej shfaqja e Cirkut Kombëtar, që erdhi këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës. Një përmbledhje e numrave më të mirë të Cirkut ndër vite, me numra akrobacie, shpejtësie, kënge, balet etj, solli në sallën plot prindër e fëmijë. Shfaqja erdhi nën drejtimin regjisorial të Pavli Sallatës, nën kujdesin e drejtueses artistike Olta Ahmetaj dhe drejtoreshës së Cirkut, Jehona Varfi.
“Sapo kemi mbaruar shfaqjen. Jemi shumë të lumtur që publiku, fëmijët, prindërit vazhdojnë ta frekuentojnë Cirkun. Jemi të lumtur. Jemi në lëvizje, duke bërë aktivitetin e Cirkut ku të mundemi, ku ka publik që na do dhe pse jo, presim për një çadër, siç e kemi pasur më parë.”, - thotë Klaudia Duro, artiste e Cirkut.
“Është një nga përmbledhjet më të mira të të gjithë numrave të viteve të Cirkut me regjisor Pavlli Sallata. Shpresoj të na ndiqni edhe në shfaqje të tjera që do të bëjmë. Do të jemi në lëvizje në Tiranë dhe shpresojmë dhe në gjithë rrethet e tjera dhe me projekte të tjera.”, - vijon artistja Sabina Troshku.
“Është një shfaqje jo vetëm për grupmoshat e vogla, por edhe për moshat më të mëdha, për të rinjtë që mund të vijnë dhe të shijojnë të gjithë numrat që kanë virtytet dhe disiplina të ndryshme, ku secili mund të gjejë veten. Ne i mirëpresim të gjithë te shfaqjet që kemi te Teatri Kombëtar dhe te Teatri i Kukullave.”, - shprehet artisti Xhejms Kodra.
Nëntori i vitit 1959 me realizimin e një shfaqje të plotë cirku, që u titullua ‘‘Shkopi Magjik’’, do të shënonte momentin e lindjes së Cirkut Shqiptar.
Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounatë e xhongleristikë. Cirku Kombëtar përfshin në repertorin e tij vlera nga cirku botëror, por gjithashtu edhe vlera tradicionale.
Prej kohësh tashmë, artistët e Cirkut Kombëtar nuk kanë një shtëpi të tyren, duke u detyruar t’i realizojnë shfaqjet në ambiente të ndryshme, siç po ndodh aktualisht në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në Teatrin e Kukullave.
Komente
