Politikë

‘Çliroi’ pallatin e konfiskuar ku do vendosej Kadastra, Rama kritika gjyqtarit Balliu: Po bien tavanet e muret, i duket normale se s’ka viktima

19 Gusht, 18:11| Përditesimi: 19 Gusht, 20:25

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar sërish gjyqtarin Hazbi Balliu, i cili vendosi të bllokojë vendimin e konfiskimit të një pallati në Tiranë, ndërtesë pa leje, ku u vendos që të zhvendosej Agjencia e Kadastrës.

Shefi i qeverisë ka publikuar një pjesë të arsyetimit të gjyqtarit, i cili thotë ndër të tjera, se ASHK mund të punojë në ambiente të tjera dhe vendosja e saj në godinën e konfliktit mes dy palëve, nuk është e domosdoshme. 

Kryeministri e ka shoqëruar komentin e tij me disa foto që thotë se pasqyrojnë situatën e godinës së vjetër të ASHK-së. Duke përmendur edhe rastin e Elsa Gjelit, Rama akuzon se prokurorë e gjyqtarë po i shërbejnë ndërtuesve të paligjshëm.

Për gjyqtarin e Administratives së Tiranës, Rama shkruan se pengoi vendosjen e Kadastrës në pallat, edhe pse muret e tavani po bien, duke e akuzuar atë se kjo situatë i duket normale pasi nuk ka viktima. Një kritikë e ka edhe për ‘qeverinë’ e gjyqësorit, KLGJ-në, për të cilën thotë se është në gjumë dhe i bën thirrje të zgjohet.

“Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u vendos të sistemohej Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti. Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit a të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre gjithnjë e më i rrezikshëm për fatet e vetë Reformës në Drejtësi. Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është normale për sa kohë nuk ka viktima”, shkruan Rama.

Më 18 qershor Komisioni i Objekteve të Konfiskuara kishte vendosur kalimin në këtë objekt të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, godina e cilës është dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019, por gjyqtari Balliu e ka anuluar këtë vendim duke vendosur sigurim padie me kërkesë të pronarit, objekt për të cilin ndërtuesi dhe shteti janë akoma në beteja gjyqësore.

Ky pallat u vë në qendër të vëmendjes së debatit politik në vend edhe në momentin kur u sekuestrua në vitin 2022, pasi aty kishte biznesin deputeti i atëhershëm i PD, sot kryetar i “Mundësia”, Agron Shehaj. Ai akuzoi për sulm politik, ndërsa institucionet thanë se pallati ishte një godinë me plot 560 m2 pa leje. Pronarë të pallatit janë dy vëllezërit biznesmenë Thanas dhe Robert Biqiku, të cilët administrojnë edhe kompaninë RT Max. 

 

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?