Rritja e çmimit të pasurive të paluajtshme nuk ka të ndalur. Vrojtimi i kryer nga Banka e Shqipërisë tregon se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024 çmimet e banesave u rriten me 23.6% në raport me gjashtëmujorin e parë. Ndërsa në raport me vitin 2023, çmimi i pronave u rrit me 44.5%, i nxitur më së shumti nga çmimet e larta të kryeqytetit.
“Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u rrit me 26.2% ndaj periudhës paraardhëse dhe 56% ndaj nivelit të një viti më parë”, thuhet në vrojtim.
Gjatë kësaj periudhe ndërtuesit kanë raportuar për rritje të kostove të tyre kryesisht për paga, energji elektrike dhe për transport. Por pavarësisht çmimeve të larta Banka e Shqipërisë thotë se kërkesa për prona është në rritje, ndërkohë koha mesatare për të shitur një pasuri të patundshme po ulet.
Për të mbështetur këtë kërkesë të lartë për prona, është rritur kredia bankare si nga bizneset ashtu edhe nga qytetarët për blerje pasurish të patundshme. Kjo ka sjellë rritje të ngarkesës me borxh të bizneseve dhe familjeve.
Nga ana tjetër bankat kanë nisur të kufizojnë kredinë që po japin për prona, duke shtrënguar standardet, për shkak të frikës për rënie të fuqisë paguese të kredimarrësve.
“Gjysma e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 72% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës”, vijon vrojtimi.
Ndërkohë vjet thotë banka e Shqipërisë është vënë re ulje e blerjeve të pronave nga shtetas të huaj, pasi në gjashtëmujorin e dytë të viti 2024, rreth 18% të banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë, nga 26% në gjashtëmujorin e parë. Nga këta, rreth 77% rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Viti 2024 është mbyllur me shtrenjtim edhe të qirave të banesave, ku kryesor përsëri kryeqyteti për shkak të kërkesës së lartë.
Komente
