“Çmenden” çmimet për Conference League në ‘Air Albania’! Vëzhgimi i Report Tv: 500 deri 3 mijë euro 1 dhomë hoteli! Menaxherja: I shitëm dhomat në booking, rezervoni aty

8 Maj 2022, 16:37| Përditesimi: 9 Maj 2022, 12:12

  • Share

Finalja e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoord, e cila zbarkon në Tiranë në “Air Albania” në datën 25 maj, pritet me interes të madh nga bota e futbollit, por si duket do të zbraz edhe xhepat e spordashësve. Nga një vezhgim i Report Tv në në Booking, nata e ndeshjes në hotelet e Tiranës kushton nga 500 deri në rreth 3 mijë euro.

Për herë të parë kryeqyteti organizon një ndeshje të përmasave të tilla europiane, por me sa duket, kleçkat e para kanë nisur dy javë para eventit të madh futbollistik. Të parët janë abuzuesit që përpiqen të fitojnë shuma të majme në kurriz të këtyre zhvillimeve. Nëse keni vendosur të vini në Tiranë në datën 25 maj dhe pas ndeshjes natën ta kaloni në një prej hoteleve të kryeqytetit, duhet të kontrolloni disa herë llogarinë bankare, pasi çmimet e kripura nuk i ngjajnë Tiranës së zakonshme, por hoteleve luksoze në Dubai.

I pari që denoncoi një abuzim të kësaj natyre nga menaxhuesit e hoteleve në datën 25 maj ishte kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, që sipas tij kjo lojë po cënon imazhin e turizmit në vend.

 “Po shiten dhomat e hoteleve për datat 25-26 maj me çmime nga 600-9000€/nata për një ndeshje sporti që duhet të jetë një manifestim i vlerave të Kryeqytetit të Rinisë 2022. Ftoj z. Veliaj dhe Min Financave të angazhohet seriozisht për të kthyer normalitetin. Ky është abuzim i pastër që do dëmtojë rëndë imazhin e Shqipërisë”, shkruan Topuzi.

Por, si qëndron e vërteta? A po abuzojnë me çmimet hotelet në vendin tonë për datën 25 maj?

Report Tv bëri një vëzhgim në Booking për një pjesë të mirë të hoteleve në Tiranë, për të parë sa varion çmimi për datat 25 dhe 26 maj.

Ky hotel, për një natë fjetjeje kushton 109,410 lekë, por e njëjta gjë nuk ndodh për shembull në datat 10 dhe 11 maj, ku një natë është vetëm 7,609 lekë. Po nëse xhepi ua mban të paguani më tepër për një natë mund të pronotoni në këtë hotelin tjetër, për të cilin duhet të paguani 285,713 lekë të reja. Situatë e ngjashme ndodh edhe me këto hotele të tjera, çmimet e të cilëve janë të fryrë natën e ndeshjes, por normale në ditë të zakonshme.

Për të faktuar çmimet e fryra dhe arsyen e këtij abuzimi, Report Tv kontaktoi me disa prej hoteleve. Njëri prej tyre pranon rritjen për shkak të ndeshjes me arsyetimin se ka shumë kërkesa.

 “Ne i kemi të shitura dhomat në ato data, mund të rezervoni vetëm në Booking nëse ka akoma dhoma të lira. Në fakt janë shtrenjtë në ato data, janë diku tek 500 euro në mos gaboj, sepse ia kemi shitur asaj kompanie dhomat për këto data. Po për shkak të ndeshjeve”, deklaroi punonjësja e hotelit.

E nëse Shqipëria tenton të hyjë në listën e vendeve pritëse për evente të rëndësishme në art, kulturë apo sport, me sa duket, jo gjithmonë gjithçka është e mirëmenduar.

 

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • zhone: 08/05/2022 20:22

    Shume mire e bejne, nese u ecen. Ky eshte tregu i lire!

    Përgjigju
  • Jon: 08/05/2022 16:56

    Nuk jemi ne per organizime te tilla kjo cmenduri cmimesh e tregon kte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?