Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka surprizuar të gjithë fansat e zjarrtë të futbollit, pasi ka veshur fanellën e skuadrës së Palermos.
Tifozët e kësaj skuadre kanë mbetur të befasuar dhe të lumtur kur panë këngëtaren me famë ndërkombëtare të veshur me ngjyrat rozë e zi të Palermos.
Palermo këtë sezon po lufton për t’u ngjitur në Serie A, për t’u rikthyer në vitet e veta të lavdishme ku merrte pjesë edhe në kupat evropiane dhe kur kishte pjesë të saj emra të njohur të futbollit në botë.
Por shpejt u zbulua pse Dua Lipa kishte veshur fanellën e Palermos dhe nuk kishte të bënte aspak me tifo për këtë skuadër.
Gjithçka është pjesë e një bashkëpunimi me firmën e njohur të veshjeve Puma, e cila ka krijuar këpucët me të njëjtat ngjyra si të Palermos dhe këngëtarja shqiptare i kishte kombinuar lart me fanellën e skuadrës siçiliane, e rekomanduar nga njerëzit e marketingut.
Gjithsesi, fotoja ka sjellë entuziazëm për tifozët e Palermos, të cilët nëpërmjet komenteve të ndryshme në rrjetet sociale kanë ftuar Dua Lipën në Siçili për të ndjekur një ndeshje të skuadrës së tyre.