Qeveria ka miratuar garancinë sovrane prej 30 milionë dollarësh, që do t’u vihet në dispozicion bankave, në mënyrë që ato të japin kredi me normë interesi preferenciale dhe të mos u kërkojnë plotësimin e shumë kushteve bizneseve që tregtojnë me shumicë produktet ushqimore.
Një mbështetje e tillë u vihet në dispozicion bizneseve në mënyrë që të krijojnë rezerva ushqimore për 3 muaj ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë, të krijuar në treg, ku çmimet po rriten çdo ditë.
Report TV ka mësuar që shteti do të mbulojë në masën 60% principalin e kredive që do të jepen nga Bankat, ndërsa 40% e garancisë do të mbulohet nga vetë importuesit.
Në vendimin e qeverisë nuk janë të specifikuara vlerat e kredisë që do të jepen dhe norma e interesit që do të aplikohet, por Report TV mëson se nuk do të ketë një normë interesi fikse.
Konkretisht bankat do të ofrojë hua me një normë interesi vjetore preferenciale, të barabartë me: normën mesatare të interesit të tre bonove të thesarit 12 mujore më të fundit të emetuara nga Qeveria plus një marzh deri në një maksimum prej 3%, në varësi të afatit të Huasë.
Linja e garancisë shtetërore do të lëshohet në favor të BKT, Banka Credins, Raiffeisen dhe OTP Bank.
Në vendimin e qeverisë thuhet se do të jetë Ministria e Financave që do të caktojë fondin e garancisë që do të jepet për secilën bankë, ndërsa kriteret për bizneset do të përcaktohen në marrëveshjen tip, që do të publikohet në fletoren zyrtare.
Vendimi i qeverisë për të mbështetur importuesit e ushqimeve, vjen në kushtet kur produktet ushqimore janë shtrenjtuar ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, ndërkohë që ka vështirësi edhe në sigurimin e produkteve.