Kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit kanë lajmëruar të gjitha pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur që nga 15 shkurti, furnizimet e reja me gjalpë dhe djathë do të kenë çmime deri në 37% më të larta. Sipas listës bashkëngjitur që kompanitë kanë dërguar në pikat e pakicës, rritjen më të madhe e pësojnë djathi dhe gjalpi kryesisht i prodhuar nga qumështi i deles.
Burimet nga kompanitë e përpunimit të qumështit pohuan se kjo rritje është aplikuar për shkak të shtrenjtimit të çmimit të qumështit nga fermerët gati me 50 për qind. Bëhet fjalë për qumështin e deles, ku fabrika e përpunimit nga më të mëdhatë në vend tha se po e blejnë 1 litër qumësht me 160 lekë nga 110 që ishte më parë.
Por blegtorët që janë në të njëjtën zonë me fabrikën që rriti çmimin pohuan se, ndryshimi i fundit i çmimit të qumështit ishte në shtator 2022. Rolandi i cili ka një fermë me mbi 300 krerë dele në zonën e Beratit tha se po e shet 1 litër qumësht nga i deles me rreth 110 lekë ndaj fabrikave. Çmimi i qumështit te blegtori shkoi në këtë nivel në fillim të vjeshtës së kaluar dhe fabrikat e kanë reflektuar në rritjen që kanë aplikuar më vonë gjatë tetorit.
Një litër qumësht i lopës pa TVSH shitet me 75 lekë aktualisht nga fermat e mëdha, ndërsa nga fermerët e vegjël me më pak se 15 krerë jo më shumë se 55 lekë. Ndërsa qumështi i deles në fermat e mëdha shihet me 110 lekë për litër dhe në të voglat jo më shumë se 80 lekë. Shumica e fermerëve që kanë ferma të vogla dhe që janë furnitorët kryesore të fabrikave të përpunimit shesin me çmim shumë më të ulët për shkak të sasisë së limituar të prodhimit.Sektori i blegtorisë dega më e madhe bujqësisë shqiptare po kalon një periudhë të vështirë për shkak të reduktimit të numrit të krerëve. Braktisja e fshatit nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm ka ulur ndjeshëm popullsinë në fshat çka po çon në rënien e shpejtë të fermave të vogla me kafshe me një deri 5 krerë. Stallat e mëdha të mbarështimit të kafshëve e patën të vështirë mbijetesën nga rritja e kostove të ushqimit, e cila në një masë të madhe importohet nga jashtë.
Dobësitë në prodhim kanë bërë që çmimet e bulmetit të rriten me ritme jo të zakonta dy vitet e fundit. Vitin e kaluar kompanitë e përpunimit të qumështit rriten me disa valë çmimet në pakicë për qumështin dhe nën produktet e tij. INSTAT raportoi se në muajin dhjetor të vitit 2022, çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të bulmetit ishin rreth 25% më të larta se në dhjetorin e vitit 2021. Bulmeti ishte grupi me rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve. Blegtorët raportuan se, çmimet e qumështit do të rriten gjatë muajit në vijim për shkak të rritjes së kërkesës në kushtet kur mungon rritja e prodhimit. / Monitor