Çmimet e larta mund të thellojnë varfërinë, ekspertja: Duhet subvencion e 'paga lufte' për familjet në nevojë për produktet e shportës

5 Shkurt 2022, 20:40| Përditesimi: 5 Shkurt 2022, 20:55

  • Share

Familjet në ndihmë ekonomike, pensionistët dhe ata që marrin pagë minimale janë më të ekspozuar ndaj kostove që po shkakton rritja e çmimeve.

“Inflacioni nënkupton një rritje të çmimeve të produkteve kryesisht të shportës bazë, energjisë dhe hidrokarbureve që prekin direkt xhepat e qytetarëve, dhe ndikon direkt në standardin e jetesës së qytetarëve. Inflacioni aktualisht është në 3.7% që është normë shumë e lartë në krahasim me vitet e tjera. Nëse llogarisim edhe rritjen e pagës mesatare në vitet e fundit, rritja reale për shkak të inflacionit ka qenë vetëm 0.7%, dhe nëse kjo rritje e inflacionit do të vazhdojë të rritet, mund të përfundojmë në zhvlerësim të pagës reale që do të thotë se duhet të merren masa, të ketë indeksim të pagave ose subvencionim të familjeve në nevojë”, shprehet ekspertja Dorela Beqaj.

Në këtë kushte ekspertja dhe studiuesja e politikave ekonomike Dorela Beqaj thotë se duhet të subvencionohen familjet në nevojë, qoftë dhe me paga lufte.

“Jemi përballë një situate ku më shumë familje mund të përballen me varfërinë, dhe ata që janë në varfëri mund të përballen me varfëri ekstreme, dhe që të zbutet ky impakt duhet të ndihmohen direkt familjet. Përshembull, subvencion direkt për disa produkte të mallrave të shportës për këtë kategori që preken direkt, familje që janë me pagë minimale apo ndihmë ekonomike. Në një periudhë afatshkurtër mund të përdoreshin edhe paga lufte, pasi nëse përdoreshin gjatë ekonomia në një periudhë të tillë  rëndon buxhetin, por duke qenë se është një periudhë e pasigurt le të konsiderohet një periudhë krize dhe të shikohen politika të tilla për familjet në nevojë”, pohon Beqaj.

Sa i takon mundësisë për rritjen e pagave nga bizneset, Beqaj shpjegon arsyet pse një gjë e tillë është e pamundur në një situatë të tille.

“Bizneset vetë po operojnë në kushtet e pasigurisë. Nëse përpara disa vitesh bizneset importuese kishin një pritshmëri dhe lista të fiksuara të çmimeve të produkteve që importojnë, sot kjo është e pamundur, pasi çmimet janë subjektet e luhatjes. Kjo do të reflektohet duke rritur kostot e transportit, të biznesit vetë e deri tek konsumatori. Pra, vetë konsumi për këto biznese do të bjerë”, pohon studiuesja e politikave ekonomike.

Rishikimi i taksave për hidrokarburet është propozimi tjetër që bën Beqaj për të lehtësuar bizneset.

“Nga ana tjetër duhet të rishikohen taksat për hidrokarburet pasi është një element që ndikon direkt tek bizneset qoftë të prodhimit, qoftë të importit ashtu edhe të transportit, dhe kostoja do të reflektohet tek konsumatorët”, tha Beqaj.

Mallrat e shportës janë shtrenjtuar këtë vit nga 50-100 lekë në varësi të produktit, ndërsa nafta ka arritur në 194 lekë litri.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • aleksadros: 06/02/2022 05:12

    jo le te rrine shqiptaret nepere kafenet e te pine droge ,pa sdo thellohet varferia

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?