Sezoni veror/ Rama: Jemi mes konkurrentëve të Mesdheut për bukuritë natyrore, nuk duhet t'u biem me top çmimeve! Paralajmërimi për ata që nuk njohin limit

14 Korrik 2022, 19:31| Përditesimi: 14 Korrik 2022, 20:46

  • Share

 

Kryeministri Edi Rama ka folur për çmimet e larta në zonat bregdetare gjatë këtij sezoni veror duke thënë se do të analizohet çdo gjë në fund të muajve të verës. Paralajmërimi i tij është që nëse vendosen çmime jashtë logjike, do të paguajnë vetë dëmet dhe asgjë nuk do e marrë përsipër shteti. Rama theksoi se Shqipëria është konkurrent i fortë për bukuritë natyrore, por nuk duhet të jetë faktor për të abuzuar me çmimet.

"Ne jemi në një ekonomi tregu dhe pa e përkrahur konstatimin, mendoj që është i nxituar lidhur me sezonin sepse kemi shifrat e vizitorëve të huaj që hyjnë në vendin tonë, nuk flasim thjesht për shqiptarë që vijnë në këtë periudhë pushimesh. Numri i vizitorëve të huaj në këtë 6 mujor të parë, akoma nuk kemi shifrat e korrikut është shumë më i lartë se i viteve të shkuara. Nëse ka problem me çmimet e larta, është për tu analizuar në fund. Nëse dikush vendos çmim jashtë logjike dhe nuk i vjen njeri, ky është një dëm që vetes së vet do ia paguajë vetë, nuk do presë që t'ia paguajë shteti.

Nëse në fund do të ketë këtë konstatim do kuptohet që për të qenë konkurrues në një rajon ku konkurrenca nuk është lojë e thjeshtë, duhet menduar mirë para se të vihen çmimet. Po qe kështu, ky sezon do bëhet mësim i madh për sezonin tjetër. Kështu mësojnë vendet që rriten dhe maturohen e janë shumë më të vjetër se ne në këtë lojë. Ndodhemi në mes të konkurrentëve të fortë të mesdheut. Këtu nuk mund të mendojmë që meqë u hap nami i Shqipërisë për të ardhur si një vend, për tu zbuluar me të gjitha magjitë e veta, hajde se po u biem me top çmimeve", tha Rama.

Ndër të tjera theksoi se kanë kontribuar mjaftueshëm në sektorin e turizmit dhe përmendi Lungomaren duke thënë se ishte si shteg dhish dhe ndërtimet pa leje nuk të lejonin të shihje bregdetin.

"Sektorin e turizmit e kemi mbështetur si kurrë më parë me investimet që kanë ndryshuar kartvizitën e vendit. Vendi kishte kartvizitë pa identitet ose me identitet të dyshimtë, turistë numëroheshin me gishtat e dorës, nuk kishe ku bëje fotografi nëse nuk ngjiteshe në mal ose futeshe në det.

Lungomare ishte shteg dhish ku kaloje përmes jashtënxjerrjeve të deleve dhe nuk shikoje dot detin se kishe vetëm ndërtime pa leje, me ujërat e zeza që merrnin rrugët. Sot është situatë tjetër por konkurrenca në këtë treg është shumë e fortë. Nuk e di nëse i patë shifrat e reja të eksporteve që janë impresionuese për periudhën që kalojmë. Kjo është rezultat i asaj pjese të konsiderueshme të komunitetit të fermerëve që ka mësuar si të konkurrojë në tregjet e huaja", tha Rama.

Ndërsa Komisoneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, u shpreh se BE ka caktuar fonde për sektorin e ushqimeve dhe në fushën e zhvillimit rural, gjithsej deri në 160 milionë euro.

‘Nuk dëshiroj të bëj si ekspert për turizmin në Shqipëri, por do ju jap disa ide si e shohim turizmin në rajon. Në disa vende ky sektor është shumë i rëndësishëm për ekonominë. Sfida është që turisti të mos jetë i vetmi mjet ose më i rëndësishmi i ekonomisë se sjell rreziqe. Po të shikosh planin e investimeve, ne dëshirojmë të kontribuojmë në shërbime, prodhime, sektorë të ndryshëm që krijojnë stabilitet afatgjatë dhe rezistencën e ekonomisë. Rrugët, hekurudhat bëjnë të mundur lëvizjen e mallrave dhe të turistëve. Ne kemi caktuar fonde për sektorin e ushqimeve ose të fushës së zhvillimit rural, gjithsej 160 milionë euro. Këto janë financime të cilat po përcakton tek sektori. Ne e dimë se sa ka vuajtur sektori i turizmit.’- tha Varhelyi.


Lajmi kryesor:

Propozimi francez, Rama dhe Varhelyi në Bypassin e Vlorës: Nëse s'miratohet, të ndahemi nga Maqedonia! Komisioneri: Jemi shpresëplotë


  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?