Çmimet e larta rrisin kërkesën për kredi për blerje shtëpie! Në katër muaj shqiptarët morën 119,5 mln euro për shtëpi! Kostot e ndërtimit nga janari në mars 2022 u rritën me 5%

12 Qershor 2022, 15:48| Përditesimi: 12 Qershor 2022, 15:57

  • Share

Pasuria më e madhe e shqiptarëve mbetet shtëpia dhe për ta blerë atë në të shumtën e rasteve i drejtohen bankave. Kërkesat për kredi për të blerë shtëpi janë rritur më shumë gjatë 2 viteve të fundit të ndikuara edhe nga çmimet e larta të apartamenteve.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kredia për blerje banese ka arritur rekordin më të lartë historik të dekadës në 4 muajt e parë të këtij viti. Konkretisht nga janari në prill janë dhënë 14.3 miliardë lekë (119,5 mln euro) kredi për të blerë shtëpi, me një rritje prej 3,9 miliardë lekë (32,6 mln euro) në raport me të njëjtin 4-mujor të vitit të kaluar. Pasi vjet nga janari në prill janë dhënë 10,460 miliardë lekë (86,9 mln euro).

Rritja e kërkesës për kredi për të blerë shtëpi, pritet të jetë në rritje edhe përgjatë pjesës së mbetur të këtij viti, dhe vitet në vazhdim për shkak se ndërtimet e reja janë gjithmonë e më të kushtueshme, tashmë të nxitura edhe nga kostot e rritura të ndërtuesve prej shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit.

Bazuar në të dhënat e INSTAT, në tremujorin e parë të vitit rritja e çmimeve në ndërtim ishte 5% në raport me vitin e kaluar. Ndikimin më të madh në rritjen e kostove e ka dhënë shtrenjtimi i energjisë elektrike me 11.7%, ndjekur nga materialet e ndërtimit me 6%, ku brenda kategorisë së materialeve, rritja më e madhe është regjistruar tek “Materialet hidro-sanitare dhe ventilimi”, me 6,8 %, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 6,5 % dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 3,5 %.

Për shkak të çmimeve të rritura të materialeve dhe për të mos ndaluar investimet publike, qeveria vendosi të kompensonte ndërtuesit që kishin një kontratë publike deri në 30% të kostove të shtuara, të ndikuara edhe prej luftës në Ukrainë.

KREDIA PËR BLERJE BANESE

Janar-Prill 2016            6,222 mld lekë   51,709,916 euro

Janar-Prill 2017            6,877 mld lekë   57,153,503 euro

Janar-Prill 2018            7,361 mld lekë   61,175,939 euro

Janar-Prill 2019            7,314 mld lekë   60,785,330 euro

Janar-Prill 2020            6,495 mld lekë   53,978,770 euro

Janar-Prill 2021          10,460 mld lekë   86,931,167 euro

Janar-Prill 2022          14,386 mld lekë 119,559,443 euro

KREDI PËR BLERJE SHTËPIE

Janar-Prill 2021          10,460 mld lekë   86,931,167 euro

Janar-Prill 2022          14,386 mld lekë 119,559,443 euro

Diferenca                      3,926 mld lekë   32,628,275 euro

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?