Shtrenjtimi i produkteve të konsumit, të lëndëve djegëse dhe rritja e çmimeve të mallrave të importit ka goditur konsumatorët por nga ana tjetër po mbush arkën e shtetit si dhe ka rritur tregtinë e mallrave në vlerë monetare.
Sipas Ministrisë së Financave në 2 muajit e parë të vitit të ardhurat e mbledhura u rritën me 18 miliard lekë në raport me vitin e kaluar. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë rritur me më shumë se 11.6 miliardë lekë gjatë kësaj periudhe dhe kontributin kryesor e ka dhënë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Konkretisht sipas të dhënave të financave në dy muajit e parë të vitit janë mbledhur 29.5 miliardë lekë nga TVSH-ja, ose rreth 7.9 miliardë lekë më shumë se vjet.
Kjo rritje e të ardhurave nuk lidhet drejtpërdrejt me shtimin e konsumit të qytetarëve, por reflekton koston e shtuar si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve.
Për shkak se produktet e shportës janë shtrenjtuar me rreth 7% në muajit janar-shkurt, edhe TVSH-ja e paguar nga qytetarët për t’i blerë ka qenë më e lartë dhe për pasojë janë shtuar të ardhurat në arkën e shtetit.
Ndikim në rritjen e të ardhurave kanë dhënë edhe produktet e importit, pasi nga akciza në këto dy muaj janë mbledhur 7.4 miliardë lekë ose rreth 856 milionë lekë më shumë se në 2 muajit e parë të vitit 2021.
Nga ana tjetër si pasojë e çmimeve të larta është rritur edhe volumi i tregtisë pasi në këtë dymujor eksportet e mallrave arritën vlerën 72 miliardë lekë, duke u rritur me 49%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 124 miliardë lekë, duke u rritur me 26,7 %, krahasuar me një vit më parë.
Të ardhurat TVSH
Janar-Shkurt 2022 29,586 mld lekë
Janar-Shkurt 2021 21,627 mld lekë
Rritja 7,959 mld lekë
Të ardhurat akciza
Janar-Shkurt 2022 7,463 mld lekë
Janar-Shkurt 2021 6,607 mld lekë
Rritja 856 mld lekë
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat
Janar-Shkurt 2022 57,882 mld lekë
Janar-Shkurt 2021 46,219 mld lekë
Rritja 11,663 mld lekë