‘Çmimet nuk i lëviz se janë të varfër’, këpucari nga Bulqiza i thotë të gjitha: Nga raporti me ‘qeveritaren’ dhe pasioni për librat

4 Maj 2023, 14:39| Përditesimi: 4 Maj 2023, 14:44

  • Share

Para viteve ’90, jo kushdo kishte mundësinë të arsimohej dhe të zgjidhte profesionin që dëshironte. E tillë është edhe historia e Dilaver Canit, 77 vjeçarit nga fshati Zerqan i Bulqizës.

Për emisionin “Një nga ne” në Report Tv, Dilaveri tregon peripecitë që ka kaluar, punën si këpucar dhe jetën aktive në vendlindje.

Çdo ditë zgjohet në orën 5 të mëngjesit, të befason për energjinë, vullnetin dhe këmbënguljen që e karakterizon. Është baba i 3 fëmijëve, por pleqërinë po e kalon vetëm me bashkëshorten, të cilën e quan ‘qeveritare’.

“Unë bëj punë grash dhe ajo punë burrash. Duke qenë se gratë pyeten për të gjitha proceset e punës, unë i firmos tek qeveritarja të gjithë lekët, ndaj e quaj qeveritare. Në lagje kam pasur burra të vjetër me mustaqe deri tek veshi, pa pyetur gruan nuk bënin asnjë veprim”, tregon Dilaveri.

Teksa kujton periudhën e njohjes me bashkëshorten, Dilaveri shton se kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

“Unë kam qenë 24 vjeç, ajo ka qenë 20 vjeç. Shoqet e saj shkuan në shkollë, këtë nuk e çuan prindërit dhe gjetëm njeri-tjetrin. Na u puqën mendimet, me mirëkuptim, pa trazira, pa zhurma. Kemi gjetur zgjidhje të përbashkëta, të rrisim dhe edukojmë fëmijët, fjala divorc nuk ka ekzistuar në asnjë fushë”.- thotë ai.

Është i vetmi këpucar që ka mbetur në fshat, një zanat që e ushtron prej 6 dekadash. Teksa përshkon rrugën për në punë në orën 8 të mëngjesit, na tregon si u gjend në këtë zanat dhe çfarë ka ndryshuar që nga ajo kohë.

“Vij në orën 8:00 dhe e ndërpres në orën 13:00. Kam qenë nxënës i mirë, shkova me shumë sakrifica në shkollën Pedagogjike në Peshkopi, atje pas disa muajsh më çojnë një karakteristikë dhe për arsye biografie më ndërpresin shkollën.

 Zgjodha këtë zanat me shumë sakrifica, me një kurs dhe përfundimisht kam jetuar me këtë zanat. Duke qenë se isha sakat nga dora, kam pasur vështirësi sa të duash, por ia mora dorën. Kam pasur intuitë për t’i kapur punët. 17 vjeç kam filluar punën dhe mbajta shtëpinë, prindërit, u martova, arsimova fëmijët, vura të gjitha forcat e mia mendore dhe fizike dhe e realizova me fëmijët atë që lashë mangut për vete.

Duke qenë se është fshat, marr maksimumi 250 leke-300 lekë për një riparim sado i thellë të jetë. Nuk i kam lëvizur çmimet se është fshat shumë i varfër”, thotë këpucari.

Pas përfundimit të punës, pjesën tjetër të ditës e kalon me miqtë, duke lexuar ose tek toka e tij duke punuar.

Për më shumë ndiqni emisionin “Një nga ne” për tu njohur me jetën aktive të pensionistit nga Bulqiza.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?