Çmimi i bukës u rrit në bllok, kreu i Autoritetit të Konkurrencës 'justifikohet': Nuk kemi pasur kërkesë për të gjobitur bizneset, se s'kishim prova! DOKUMENTI që e nxjerr 'blof'

9 Shkurt 2022, 11:00| Përditesimi: 9 Shkurt 2022, 21:25

  • Share

TIRANË- Rritja e çmimit të bukës në bllok në shtator të vitit 2021 ka ardhur si pasojë e një sjelljeje e bashkërenduar mes 4 bizneseve, por Autoriteti i Konkurrencës nuk ka gjetur provat, prandaj ka vendosur që të mos i gjobisë. Vetë kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba në seancën dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, deklaroi se ka pasur shkelje nga ana e bizneseve (AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK), por nuk janë gjetur prova që bëhet fjalë për një marrëveshje të fshehtë. Rritja e çmimit, sipas tij, nuk mjafton për të dalë në këtë përfundim.

"Si përfundim është vendosur që ka element të sjelljes së bashkërenduar megjithatë nuk ka vlerësuar që të gjobisë subjektet dhe është lënë tregu dhe këto 4 subjekte, që dominonin rreth 70-80% të tregut, janë marrë në monitorim, por pa i vendosur gjoba. Në korrik të 2021, maturohet koha 1 vjeçare dhe Komisioni kishte detyrimin që të shihte se çfarë është bërë gjatë kësaj periudhe. U përgatit një raport nga sekretariati, që është një lloj policie apo prokurorie dhe Komisioni që është në rolin e gjykatës. Debati ka qenë i ashpër, për fat të keq gjoba rrodhi në media para se të mësonim dhe ne vetë anëtarët e konkurrencës, ishte në nivele tepër të larta, por jemi sensibël se nuk duam të konsiderohemi si institucion që ka qëllim gjobitjen, gjoba është për ndëshkimin, po jo qëllim primar, primari është efikasiteti i tregut. Nuk do i gjeni se janë të redaktuara se nuk përbëjnë interes publik disa batuta apo diskutime të pavlera nga ai konkret, por të gjitha fjalët tona ku kemi argumentuar janë aty, argumentet e gjithsecilit. Disa prej anëtare, unë një ndër ta, nuk krijuam bindje, kuptuam se diçka nuk shkonte, problematikat janë në atë treg, por në mungesë të një prove konkrete vetëm me një indicie që ishte çmimi, po pa analizë të kostos, si u arrit në këtë çmim, kostot e transportit janë të njëjta, duke qëndruar te disa episode të ngjashme, jo të njëjta, por nuk kishte numri i operacione ishte 684, apo 600 mijë, apo 6 milion operacione, duke qenë se element të tillë nuk dilnin nga raporti, nuk e gjetëm disa nga ne, kishte problematike, por në respekt të materialit nuk mund të merrnim një vendim, jo të vendosnim gjobë ose jo", tha Biba.

Biba sqaroi një fakt që Autoriteti i Konkurrencës ka 2 institucione në varësi që është Sekretariati, që funksionon si prokurori që ngre akuza dhe Komisioni, në rolin e gjykatës që merr vendime. Biba pretendon se nuk ka pasur një kërkesë për gjobë nga ana e Sekretariatit për të gjobitur bizneset, mirëpo dokumenti që Shqiptarja.com sjell vërteton të kundërtën. Në dokumenti që mban datën  29.09.2021 shkruhet e "zeza mbi të bardhë" se ka pasur një kërkesë për gjobë që kapte vlerën e rreth 5 mln eurove dhe Juliana Latifi, kryetarja e asaj kohe dhe anëtari Eduard Ypi kanë qenë dakord, por 3 anëtarët e tjerë Leida Matja, Adriana Berberi dhe vetë Denar Biba, atëherë thjesht anëtar, kanë votuar kundër.

"Ne anëtarët e Komisionit të Konkurrencës: Juliana Latifi dhe Eduard Ypi, jemi dakort me propozimin e paraqitur nga Sekretariati, në lidhje me Draft-Vendimin “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK për moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara me VKK nr. 700, datë 24.07.2020”, shkruhet ndër të tjera në dokument.

Pavarësisht këtij dokumenti, Biba këmbëngulte se nuk ka pasur një kerkesë të tillë duke thënë se tregu po monitorohet ende dhe vendimi final do të jepet në shtator 2022.

"Nuk ka pasur draft për gjobë në mbledhjen përkatëse", tha sot Denar Biba, kreu i Autoritetit të Konkurrencës në Komisionin e Ekonomisë.

"Fajin" se nuk mund të siguronte prova që 4 kompanitë kishin bërë një marrëveshje të fshehtë, Biba "ua hodhi" ligjeve, duke thënë se shkon përtej kompetencave të tij. Për të vërtetuar këtë solli një shembull nga Italia.

"Po ju sjell një shembull nga Italia, ku u rrit në bllok çmimi i qumështit, iu vuri përgjues operatorëve, dhe kjo ishte evidenca kryesore për t'u dënuar më gjobë dhe kjo ishte provë, ne kompetenca të tilla nuk i kemi. Ne kemi vetem letërkëmbimi me institucione, që nuk të na zgjasë 4 muaj", tha Biba.

Çmimi i bukës u rrit në shtator të vitit të kaluar nga 10-20 lekë për bukë dhe ndjehet në xhepat e çdo qytetari që minimalisht ble një bukë.

Ora 13:01
Shkarkoi punonjësin për intervistën në Report TV, Biba jep arsyet: S'kishte tagër që të fliste në emër të Autoritetit, kishte uzurpuar zyrën e kryetares

 

Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba ka dhënë detaje lidhur me shkarkimin nga puna të Indrit Rekës. Sipas Bibës, ai nuk kishte kompetenca që të fliste në emër të Autoritetit, madje sipas tij ka uzurpuar edhe zyrën e Kryetarit të këtij institucioni. Ai nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me shkarkimin, por dha pretendimet e tij, duke thënë se ka disinformuar qytetarët.

"Zotëria edhe pse është paraqitur në media si drejtor i kabinetit të kryetare së Autoritetit të Konkurrencës, prej më shumë se sa një viti ka qenë në statusit drejtorit juridik pa asnjë kompetencë për të përfaqësuar institucioni në marrëdhënie me media, ka një zëdhënës një kryetar dhe në këtë kontekst zotëria nuk ka pasur tagerin për t'iu drejtuar media. Intervista është dhënë nga zyra e kryetarit, është ulur në karrigen ku ulem unë. Kam tendencë t'i besoj koleges, ka uzurpuar zyrën për të dhënë opinionet e tij, janë disinformuese, nuk ka qenë as në grupin e punës dhe as që ka shkruar dokumentin, ky zotëri ka qenë një nga personat më pak të informuar lidhur me këtë çështje, ndërkohë që nuk kishte një vendim, zotëria ka dalë dhe ka dhënë opinionin e tij, respektoj mendimin e tij dhe mediat që i ka keqpërdorur,  ka gënjyer, nuk qëndron se kemi pranuar raportin dhe më pas kemi ndryshuar qëndrim. Ka qenë disinformim publik për të cenuar imazhin e institucionit, prandaj zotëria është penalizuar nga sekretariati, janë respektuar procedurat. Është si një nga Këshilltarët të dalë në media dhe të jap mendimin e tij në emër tuaj. Është Këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm", tha Biba.

Ora 12:04
Thanë se nuk kanë pasur një kërkesë për të gjobitur bizneset që ndikuan në rritjen e çmimit të bukës, DOKUMENTI që nxjerr 'blof' Autoritetin e konkurrencës

 

"Nuk ka pasur draft për gjobë në mbledhje përkatëse", tha sot Denar Biba, kreu i Autoritetit të Konkurrencës në Komisionin e Ekonomisë.

Në të njëjtën linjë është mbrojtur edhe anëtarja Adriana Berberi.

"Nuk kanë pasur një propozim për gjobë, por një raport monitorimi nëse jemi para një marrëveshjeje të fshehtë ose jo", tha ajo.

Mirëpo ky deklarim i tyre sot përpara deputetëve si edhe qytetarëve shqiptar që u prekën nga rritja e çmimit të bukës, është një gënjeshtër. Shqiptarja.com sjell dokumentin që mban datën 29.09.2021 që vërteton se ka pasur një kërkesë për gjobë. Vetë, Biba ka sqaruar se autoriteti i Konkurrencës ka dy organe, një Sekretariati që është në rolin e prokurorisë që ngre akuza dhe Komisioni që ka rolin e gjykatësit, që merr vendim. Dhe në këtë dokument, dy anëtarët Juliana Latifi dhe Eduard Ypi kanë qenë dakord me propozimin e paraqitur nga Sekretariati, në lidhje me Draft-Vendimin “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK.

"Ne anëtarët e Komisionit të Konkurrencës: Juliana Latifi dhe Eduard Ypi, jemi dakort me propozimin e paraqitur nga Sekretariati, në lidhje me Draft-Vendimin “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK për moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara me VKK nr. 700, datë 24.07.2020”, shkruhet ndër të tjera në dokument.

Ja çfarë kërkonte Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës
Bazuar në Rregulloren “Për gjobat dhe lehtësimin prej tyre”,2 është përcaktuar metodologjia e përllogaritjes së gjobës, dhe si vit bazë për përcaktimin e xhiros në zbatim të nenit 74 të ligjit nr.9121/2003 mbi të cilin është bërë përllogaritja e gjobës, është viti 2020. Në këto rrethana, vlefta e gjobës për secilën kompani bazuar në Rregulloren “Për gjobat dhe lehtësimin prej tyre”, paraqitur nga ana e Sekretariatit është:

I. Për ndërmarrjen Agro Blend SHPK për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën III të VKK nr. 700/2020, gjoba është në masën 7.11% të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës (2020) sipas pasqyrave financiare në QKB, në vlerën XX Lekë.

II. Për ndërmarrjen Miell Tirana SHA për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën III të VKK nr. 700/2020, gjoba është në masën 10% të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës (2020), sipas pasqyrave financiare në QKB, në vlerën XX Lekë.

III. Për ndërmarrjen Bloja SHA për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën III të VKK nr. 700/2020, gjoba është në masën 5.26% të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës (2020), sipas pasqyrave financiare në QKB, në vlerën XX Lekë.

IV. Për ndërmarrjen Atlas Mills SHPK për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën III të VKK nr. 700/2020, gjoba është në masën 3.28% të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës (2020), sipas pasqyrave financiare në QKB, në vlerën XX Lekë.

Në referencë të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë,3 ndërmarrjet AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK ndodhen në kushtet e një sjellje të bashkërenduar e cila çon konkurrencën në kushte që nuk korrespondon me kushtet normale të tregut, duke pasur parasysh natyrën e produkteve, rëndësinë dhe numrin e ndërmarrjeve në treg, si dhe madhësinë dhe natyrën e tregut në fjalë. Një sjellje/praktikë e bashkërenduar nënkupton, përveç bashkërendimit të ndërmarrjeve, sjellje në treg në përputhje me ato praktika të fshehta dhe një marrëdhënie shkak-pasojë midis të dyjave, dhe si rrjedhojë kufizim të konkurrencës në treg.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin që vërteton se është kërkuar gjobitja e bizneseve që rritën çmimin e bukës)

Ora 11:12
Rritja e çmimit të bukës në Shqipëri, anëtarja e Autoritetit të Konkurrencës: Fitimi i kompanive në atë kohë ishte 1.5%, nuk kishin abuzuar me çmimet

 

Anëtarja Leida Matja ka sqaruar se nuk kanë gjobitur subjektet që rritën çmimit. Ajo bën fajtore tregjet ndërkombëtare që rritën çmimin e që u reflektua edhe në tregun shqiptar.

"S’kishte asnjë nga ata pozitë dominuese. E dyta ishte sjellje e bashkërenduar, dhe çmimet ndiqnin njëri tjetrin dhe kishin një lloj sjellje të bashkërenduar. Në 2021 çmimi i grurit në tregjet botërore u rrit dhe ndryshuan kushtet e tregut.

Ky ndryshim i kushteve të tregut dhe elementet e tjera, pasi elementi i çmimeve për situatën kartel është një pikë në oqean. Fitimi i kompanive në atë kohë ishte 1.5%, nuk kishin abuzuar me çmimet. Ishim në pamundësi për të marrë një vendim. Në këto kushte të tregut të ndryshuara ne nuk jemi në kushtet për të dhënë një vendim.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Deti: 09/02/2022 15:49

    Hajdutët ishalla lekt I bahen ilaçe ne familjet e tyre e rrjepen kyt popull

    Përgjigju
  • Lui: 09/02/2022 14:20

    E kuptoni tani pse nuk ka shprese ky vend?! Sepse tipa sì keta u japin duart shpreses Dhe pastaj themi pse shoqeria shqiptare nuk eshte dekomunistizuar?! Te pakten atehere shteti ta merrte pronen dhe e shtetezonte, dmth e "gezonin" te gjithe mire apo keq. Kurse keta sot te marrin pronen dhe ia japin tjetrit. Keshtu dhe keta jane kthyer ne sherbetore dhe vegla te dikujt. Ngrihet cmimi per te gjithe sepse keshtu ua thote mendja atyre 4-5 vetave qe kane monopolin e miellit. Dhe shteti thote qe nuk kemi c'te bejme. E njejta gje dhe per karburantet. Dhe me siguri ne cdo fushe ka nga 4-5 monopoliste qe vendosin cmimet dhe rryshfetojne pushtetaret qe mos gjobiten apo mos denohen. E permbledhur ne nje fjale mund te themi qe jemi kthyer ne FEUDALIZEM.

    Përgjigju
  • Sara: 09/02/2022 13:12

    Mafia me pushtet ka mberthyer cdo institucion.Nuk i behet von se mban ky popull.Rritini cmimet sa te keni deshir se paguan ky popull

    Përgjigju
  • Haka Tekizoti: 09/02/2022 12:13

    A është jurist jy që shprehet kështu? Si mund të quhet shkelje (e kujt?) diçka që nuk provohet se është shkelje?

    Përgjigju
  • Kasem Gahinji: 09/02/2022 11:41

    D.m.th.shkeljet nuk jane prova.Pra saimiri tahiri e ka ngrene kot fare.Me shkelje qe nuk perbejne prova.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?