Bizneset e lidhura me tensionin e mesëm dhe të lartë po përballen me fatura të kripura të energjisë elektrike si pasojë e krizës globale. Për më shumë se 7400 biznese që duhet të dilnin në treg të lirë prej janarit të këtij viti, çmimi i energjisë është mbi 18 lekë për kilovat nga 11-12 lekë që e kanë blerë deri në dhjetor.
Bizneset qe e kishin detyrim daljen në treg të lirë ishin ata të lidhur në tensionin e mesëm 6,10 dhe 20 kilovolt.
Çmim ky që u vendos pas takimit që u zhvillua me bizneset nga Ministria e Infrastrukturës në mënyrë që bizneset e mesme të mos përballeshin me faturat reale të energjisë, pasi duhet të dilnin në treg të lirë, ndërsa afati u shty për në qershor.
Por a sjell kjo rritje e faturës, shtrenjtim të produkteve nga bizneset?
“Për këto biznese që do të përballen me këtë çmim të ri nuk besoj se ka vend për të reflektuar rritje të çmimit të produkteve. Jam i bindur që çmimet e gazit, naftës dhe energjisë do të ulen në maj, kështu që ndërmarrjet janë shumë të ndërgjegjshëm dhe kanë një përgjegjësi ndaj konsumatorit dhe kur kanë një rritje të thjeshtë nuk kanë pse ta reflektojnë në çmime”, thotë Arben Shkodra sekretar i Bashkimit të Prodhuesve.
Sipas sekretarit të Bashkimit të Prodhuesve, Arben Shkodra, këto biznese nuk mund të rrisin çmimet se konkurrohen edhe nga importi.
“Mallrat e importit vijnë shumë herë më konkurruese, të trajtuar mirë nga qeveritë e tyre dhe nuk e reflektojnë rritjen e çmimit në produkte e tyre, dhe duke pasur këtë lloj presioni bizneset shqiptare nuk e kanë atë liri për të reflektuar rritjen e çmimit sepse del nga tregu, sepse konsumatori vendos për çmimin më të ulët në treg”, pohon Shkodra.
Ndërkohë biznesi i madh aktualisht paguan deri në 32 lekë për kilovat, pasi është plotësisht në tregun e lirë dhe varet nga luhatjet ndërkombëtare. Kjo kategori sipas Arben Shkodrës e ka të pamundur mos rritjen e çmimit të produkteve.
“Fatkeqësia ndodh tek bizneset e mëdha, të cilat kanë dalë në tregun e parregulluar të energjisë që po përballen me katërfishim apo pesëfishim të faturave të energjisë dhe e kanë të pamundur mos-reflektimin në çmime”, tha Shkodra.
Shkodra propozon edhe nisjen e negociatave qeveri-biznes për të shmangur një krizë energjetike në të ardhmen.
“Ne nuk duhet të përballemi më me krizë energjetike në të ardhmen. Duhet ti evitojmë dhe duhet që të nisim që tani diskutim dhe të bashkërendojmë potencialet që kemi, qoftë qeveria dhe qoftë privati për impiantet e reja të energjisë elektrike”, pohon ai.
Si pasojë e çmimeve të larta në bursë, vetëm në muajin e parë të vitit vendi ka blerë nga jashtë39.3 milionë euro energji, me çmim mesatar 238 euro.
te keqen e ekonomise se tregut mendje qe me paske
Përgjigju