Në komisionin parlamentar e Burimeve Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, u prezantua këtë të martë raporti vjetor i Entit Rregullator të Energjisë, ku përmes shifrave, kreu i ERE, Petrit Ahmeti tha se humbjet në rrjet janë ulur ndjeshëm, si dhe janë reduktuar ndërprerjet e energjisë.
Kreu i ERE-s u pyet nga deputetët edhe për vendimin për të ulur çmimin e energjisë elektrike, ku nuk përjashtoi mundësinë e një tjetër rishikimi.
“Hapi që u bë për uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjar ishte rezultat i një vijueshmërie të situatës të sektorit elektro-energjetik, dhe situatës së konsumit të energjisë elektrike por edhe disiplinimit të pagesave të faturës së energjisë. Nuk përjashtohet asnjë lloj mundësie që edhe në vazhdimësi në funksion të performancës që ka kompania në plotësimin e të gjitha kushteve të saj financiare, që të rishikohet ky çmim”, tha Ahmeti.
Teksa e konsideroi sistemin energjetik sektor të ‘sigurisë kombëtare’, Ahmeti u përgjigj edhe për dy termocentralet lundruese që janë vendosur në Portin e Vlorës.
“Ato kanë një kosto vetëm për mirëmbajtjen nuk kanë tjetër. Janë shumë të rëndësishme, nuk mban vetëm Shqipëria kapacitete të tyre për emergjenca. Ato bëjnë pjesë në skemën kombëtare të sigurisë energjetike. Nuk marrë përgjegjësi për mbrojtje absolute. Ne ua shikojmë hairin atyre kur nuk kemi kapacitete prodhimi. Ka pasur kohë që nuk kemi pasur prurje në kaskadën e Drinit”, tha kreu i ERE-s.
Por çfarë po ndodh me projektin për të vënë në punë termocentralin e Vlorës, që nuk prodhon energji, qysh prej kur u ndërtua?
“TEC-i i Vlorës është sëmundje. Ka një projekt të gatshëm për të nga Excelerate Power, por është i stopuar, është bërë projekti, kushton 90 milionë euro. Ky projekt është vlerësuar edhe nga WBF, dhe pritet të zgjidhet dhe TEC-i i Vlorës dhe burimi kryesor i gazit edhe për të do të jetë TAP”, tha Maksim Shuli anëtar i bordit të Entit Rregullator të Energjisë
Në komision u njoftua se brenda këtij viti pritet të nisë gazifikimi i Korçës.
“Brenda këtij viti pritet të fillojë gazifikimi i Korçës, projekti ka vlerë afro 19 milionë euro. Ky është projekti i parë që është 7 km larg tubacionit të TAP. Ne jemi gati, madje kemi bërë edhe tarifat për çdo familje”, tha Maksim Shuli.
Gjatë diskutimeve në komision u diskutua edhe për problematika me shkëputjen energjisë në zonat malore të vendit apo në Velipojë, ku u tha se do të ketë investime të shtuara.
Po ashtu vëmendje mori edhe energjinë e rinovueshme dhe vetëprodhimit, ku prodhimi nga energjia e pastër mbetet prioritet.
Komente
