TIRANË- Nafta shënon sërish rritje, ku një litër blihet me 193 lekë nga 187 lekë sa ishte në tetor, ndërsa benzina me 195 lekë. Ndërkohë që gazi ka arritur në 94 lekë, nga 82-89 lekë që është luhatur deri më tani. Në më pak se një vit kjo është hera e shtatë që çmimet e hidrokarbureve rriten në Shqipëri.
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj e pyetur nga gazetarët mbi këto luhatje të çmimeve u përgjigj se vijnë si pasojë e tregjeve ndërkombëtare, ndërsa theksoi se qeveria nuk do të ndërhyjë në treg.
“Rritja e çmimit të naftës janë dhe kanë qenë subjekt i rritjeve prej muajsh, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend, janë të ndikuara nga rritja e çmimeve në bursa dhe ne jemi në monitorim të vazhdueshëm që të mos kenë efekte zinxhir”, tha Ibrahimaj.
Ministrja hodhi poshtë edhe mundësinë e uljes së taksave të sektorit të hidrokarbureve për të frenuar rritjen e çmimeve.
“Nuk ka asnjë iniciativë të rishikimit të taksave për naftën dhe nënproduktet e saj”, tha ministrja.
Të gjithë ish punonjësit e rafinerisë së Ballshit do të marrin përgjatë këtij viti pagë minimale. Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë ndërsa Ministrja Delina Ibrahimaj, kërkoi që naftëtarët dhe ish-naftëtarëve, të paraqesin dokumentet pranë zyrave të punës.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam një vendim shumë të rëndësishëm që ka të bëjë mbështetjen sociale të qeverisë shqiptare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh. Sipas këtij vendimi, përgjatë gjithë vitit 2022, do të ketë një pagesë kalimtare e barabartë me pagën minimale, përfshirë dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore e cila do ti jepet listës së ish-punonjësve të rafinerisë së naftës në Ballsh, të miratuar që në vitin 2020 në vendimin e nëntorit të vitit 2020. Kjo listë, sigurisht që do të rishikohet me ato persona që janë të punësuar apo të vetëpunësuar, apo ata të cilët kanë dalë në pension pleqërie. Ndërkohë, ftoj të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit të rafinerisë në Ballsh, ti drejtohen zyrave të punës pranë vendbanimeve të tyre me qëllim dokumentacionet për të përfituar nga kjo ndihmë e cila do të jepet në bazë mujore përgjatë gjithë vitit 2022”, deklaroi ministrja.