Kostot e prodhimit të shalqirit po rëndojnë edhe më shumë mbi fermerët këtë fillim gushti. Brenda një muaji çmimi me të cilin bujku shet shalqirin është ulur me gati 60%. Fermerët e qarkut të Fierit po e shesin shalqirin me 6 lekë për kilogramë, nga 15 lekë në fillim të korrikut.
Por edhe pse çmimi nuk mbulon as kostot e prodhimit, gjatë rrugës 1 kilogram shalqi shtrenjtohet me gati 5-fish. Në tregjet e Tiranës çmimi i shalqirit është 25-30 lekë për kilogramë.
Përtej çmimit të ulët, mungesa e tregut po godet edhe më shumë fermerët. Mundi i fermerëve jo vetëm që nuk po shpërblehet me çmim të arsyeshëm, por në fakt po shkon 100% dëm duke u kalbur nëpër fusha e sera.
“Një shalqi si ky që kam marrë unë 10 kg, kushton vetëm 60 lekë. Kaq nuk kushton asnjë produkt sot. Shkoni blini shalqi se ju kushton me pak se çdo gjë tjetër sot. Blini është shumë e rëndësishme të ndihmohet bujku”, apelon deputeti Braçe.
Deputeti socialist u ka bërë thirrje edhe biznesmenëve të restoranteve dhe beach bareve që ta përfshijnë në menutë e tyre edhe shalqirin.
Komente
