Çmimi Nobel në Fizikë për 2021 u është dhënë 3 shkencëtarëve që kanë studiuar ndryshimet klimatike. Ato janë Syukuro Manabe nga Princeton nga SHBA, Klaus Hasselmann Max Planck nga Hamburg, Gjermani dhe Giorgio Parisi nga Sapienza i Romës në Itali.
Japonezi Manabe dhe gjermani Hasselmann e fituan bashkërisht gjysmën e çmimit, “për modelimin fizik të klimës së Tokës, si dhe parashikimin e besueshëm të ngrohjes globale”. Manabe dhe Hasselmann “hodhën themelet e njohurive për klimën e tokës dhe sesi njerëzimi po ndikon në të. Ndërsa italiani Giorgio Parisi fitoi gjysmën tjetër, pasi zbuloi modele të fshehta në materiale të çrregullta e komplekse.
Fituesit u shpallën të martën nga Goran Hansson, sekretar i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave. Çmimi prestigjioz vlen 1.15 milionë dollarë dhe jepet nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
Ditën e djeshme u dha çmimi Nobel në mjekësi që u fitua nga dy shkencëtarët amerikane David Julius dhe Ardem Patapoutian, për zbulimin e receptorëve për temperaturën dhe prekjen. Sipas Akademisë së Nobelit shpikja e tyre është thelbësore për mbijetesën dhe mbështet ndërveprimin tonë me botën përreth.