Ishte koha kur nuk diskutohej rënia e sistemit, por mënyra e rënies. Pra, konflikti qëndronte në atë se si po bëhej kjo rënie dhe cili ishte protagonisti i gjithë shkatërrimit dhe krimeve njerëzore. Ja ç’thonë disa dëshmitarë të kohës, nismëtarë të Partisë Demokratike:
“Ajo që mendohej si një epope e përgjakur për ndryshime, ka zgjatur katër ditë, prej dt. 18 deri më 21 dhjetor dhe është kurorëzuar pa asnjë viktimë“ (Preç Zogaj).
“Deri në mars 1991, revolucionin në Shqipëri e kanë drejtuar komunistët dhe bijtë e komunistëve. Ne e morëm pushtetin në tavolinë dhe akti juridik ishte akt formal” (Arben Meçe).
Në këtë kontekst, para se të shkojmë në zgjedhjet e para pluraliste, duhet të kujtojmë disa ngjarje që ishin sinjale të ndryshimeve, ose të kthesës që po merrte vendi:
– Në vitin 1986 dhe 1989 kishin ndodhur dy amnisti, sidomos abrogimi i ligjit të agjitacionit dhe propagandës dhe ligji i tradhtisë ndaj atdheut, në rastet e arratisjes, ose të shkeljes së kufirit.
– Artikujt e prof. Ylli Popës në gazetën “ Zëri i popullit” të datës 29,30 prill 1990 që goditnin sistemin politik. Po ashtu, edhe artikujt e G.Pashkos dhe F.Nanos, që trajtonin dobinë e ekonomisë së tregut.
– Në Shkodër, pushteti vendor e hoqi vetë Monumentin e Stalinit dhe më pas të Leninit, ashtu siç ndodhi edhe në Tiranë.
Është koha, kur studentët i kërkuan Ramiz Alisë të ndryshonte udhëheqjen e plakur të shtetit e të partisë. Duhet thënë se deri në këtë kohë, kërkesat e studentëve ishin më mbrapa në përmbajtje nga kërkesat e bëra muaj më parë nga anëtarë të Kom. Qëndror, si dhe nga org. partisë dhe kolektivi i Fakultetit të Mjekësisë.
Madje, duhet të pranojmë se termin “parti politike” e ka artikuluar vetë Ramiz Alia, para se ta kërkonin studentët. Gjithashtu, është fakt që duhet ta pranojmë se, kur studentët kërkuan në takimin me Ramiz Alinë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe ngritjen e shoqatave studentore, ai i orientoi edhe drejt kërkesave politike.
Pas këtyre zhvillimeve u mblodh KQ, i cili, pothuajse unanimisht, votoi për të “lënë pushtetin”.
Në një nga këto ditë kam takuar zv.drejtorin e Sigurimit të Shtetit, i cili më tha se e dinin për lëvizjet që kishin filluar në Fakultetin e Mjekësisë dhe për këtë kishin informuar edhe Partinë, por këtë “zjarr” e kishin lënë të fiket, me qëllim që flaka e ndryshimeve të kalonte në Qytetin Studenti.
Nuk dua të qëndroj në përshkrimin e rrëzimit të Monumentit të Enver Hoxhës, por më kanë bërë përshtypje dy momente.
Për rrëzimin e tij u bënë dy sulme. Në sulmin e parë forcat e gardës dhe të policisë lëshuan dy qen kufiri dhe sulmuesit u larguan në panik duke shtypur njëri-tjetrin. Në momentin e dytë turma ishte më e trimëruar, sepse Monumenti nuk ishte më në ruajtje të forcave të rendit, siç ishte në momentin e parë dhe e pamë qartë se si ai u këput fare lehtë nga makina që e tërhoqi me kavo. U tha se çmontimi ishte bërë gjatë natës, kështu që turma bëri vetëm aktin demonstrativ të rrëzimit të tij.
Siç kam thënë edhe më sipër, era e ndryshimit kishte kohë që ndihej, ose për ta shprehur në mënyrë figurative, benzina ishte hedhur; vetëm kërkohej një shkrepëse për ta ndezur. Këtë rol e luajtën studentët. Ata kërkonin ndryshimin, por si gjithë populli, jo me gjak. Atëhere, kush e kriminalizoi këtë ndryshim?!
Kur në sheshin “Skënderbej” u rrëzua Monumenti i Enver Hoxhës, nuk pati asnjë viktimë, atëherë si ndodhi që, kur u hoq busti i Enver Hoxhës në Shkollën e Bashkuar, pati të vrarë? Kush e drejtonte turmën dhe kush e egërsonte atë drejt një institucioni ushtarak, i cili ruhej me armë? Në krye të asaj turme ka qenë Azem Hajdari, të cilin PD-ja e ka quajtur “spiun të Ramiz Alisë” dhe që ishte nën urdhrat e Sali Berishës (ironikisht, sot i bëjnë ceremoni te vendi i vrasjes). Pse duhej kriminalizuar me gjak dhe shkatërrime ky ndryshim, kur ai ishte programuar paqësor? Përse duhej të ndodhte krimi i 2 Prillit në Shkodër, shoqëruar me djegien e godinës së Komitetit të Partisë? Sali Berisha ishte i besuar i Udhëheqjes, pasi njihej nga Kryesorët dhe ishte mik i fëmijëve të tyre.
“Antibllokmeni” Sali Berisha, besoj, është mjeku që ka më shumë fotografi me “bllokmenët”, me Hysni Kapon, me Simon Stefanin, me familjarë të E. Hoxhës dhe tani bërtet kundër tyre! Atëhere, përse e kriminalizoi Sali Berisha skenarin, kur ata që do të linin pushtetin, së pari, nuk ishin kundër ndryshimit të sistemit dhe, së dyti, ata vetë e vendosën në krye të asaj partie? Ja, përse dyshohet për Berishën! Ai përherë provokonte dyshimin. Ky njeri, mbartës i aq shumë veseve, i pabesë, pa ide e parime, shpifës etj., shkatërroi gjithçka: ekonominë, ushtrinë, arsimin, Akademinë e Shkencave, drejtësinë, territorin etj.
Populli shqiptar ishte tërësisht i papërgatitur për të zgjedhur të ardhmen e tij. Kjo ishte tema e diskutimeve në fushatat e viteve 1991-92. Ai nuk e donte sistemin ku jetonte, por nuk kishte idenë se çfarë sistemi do të kishte nesër. Kjo padije u përdor poshtërsisht nga elita politike. Me Sali Berishën në krye, humbëm vlera, pasuri dhe shanse që nuk kemi për t’i patur më. Në vitet 1991-96 kishte shumë kompani të mëdha që donin të investonin, por, kur panë dhunë e shkatërrim, nuk u shfaqën më.
Marrja e kaparit u bë normë, ndaj dhe ato u larguan dhe ne mbetëm te fasoneritë rraskapitëse për punëtorët dhe pa ndonjë përfitim me vlerë për vendin, ndërsa kompanitë e mëdha që shfrytëzojnë pasuritë e vendit, veprojnë si në vendet koloniale.
Ditë plotë enigma, megjithatë, dihet nga të gjithë që shumica organizoi shpejt Partinë Demokratike. Në ditët e para të themelimit më shumë kishte anëtarë të PPSH-së, dikush i konvertuar, dikush sinqerisht dhe shumica me urdhër, siç shkruan B. Ishmi : “do të ishte ajo që do të quhej parti e mëparshme me grupe ekstremistësh, për të ushtruar dhunë fizike e psikologjike”. Nga ata, që do të shquheshin për më shumë agresivitet, do të zgjidheshin edhe drejtuesit e vendit.
Janë 30 vjet për të vlerësuar të dy palët në qeverisjen e vendit. Sot mund të thuhet që ata me pardesy të bardha, të cilët na premtuan çekun e bardhë, janë të njëjtit në sjelljen e tyre politike; njerëz të dhunës që iu sulën institucioneve me bomba molotov dhe veprime të dhunshme shkatërruese.
“Njëshi” i saj i dha PD-së natyrën e tij agresive, shpifëse e të pabesë. Likuidues i çdo mendimi ndryshe! I pabesë edhe me njeriun e tij më të afërt, Azem Hajdarin, saqë, kur u prishej muhabeti, e quante spiun dhe bandit.
Sali Berisha krijoi psikozën që kundërshtari politik është armik, ndaj të cilit edhe gjuha e komunikimit duhet të jetë brutale: “do ta heqim zvarrë Edi Ramën”, “kape prej zhelesh dhe nxirre jashtë” etj… Një sjellje e tij e tillë u bë shkak që intelektualët u pakësuan progresivisht në drejtimin dhe në qeverisjen e PD-së. Historia ka treguar se marrëzia dhe ligësia kanë imunitet dhe u kanë rezistuar shekujve me ndryshimet politike që kanë ndodhur
Ramiz Alia dhe ushtarakët
Degradimi i situatës e kompromentoi pozicionin e Ramiz Alisë. Në kohën që po sulmoheshin ambasadat dhe portet, në opinion përflitej emri i Ramiz Alisë, Hekuran Isait dhe Kiço Mustaqit. Në fakt, Kiço nuk kish asnjë përgjegjësi. Megjithatë, Ramiz Alia në një moment pretendoi që ta shkarkojë, por K.Mustaqi i tha se “Ushtria nuk ka asnjë rol. Atë e ndalon ligji. Bëni ligjin që të ndërhyjë ushtria dhe unë do të veproj.” Ndërkaq, Ramizi e riemëroi në Qeverinë Nano 1.
Të binte në sy që Ramiz Alia, për ngjarjet që po ndodhnin, të cilat ishin objekt i punës së Ministrisë së Brendshme, nuk i kërkonte llogari Hekuran Isait, si drejtues i saj. Në një takim me ushtarakët Ramizi u grind me Kiço Mustaqin, duke qëlluar edhe tavolinën me grusht, por ushtarakët në sallë reaguan me zëmërim ndaj tij. Një ditë para se turma të rrëzonte Monumentin e E.Hoxhës, Kiço i kish kërkuar Ramizit që ta hiqnin vetë Monumentin.
Në të njëjtën ditë, këtë kërkesë ia kish bërë edhe Azem Hajdari. Po pse Ramizi nuk e pranoi, por e la që ta hiqte Azemi me turmën? Pse duhej kjo shfaqje agresive?!
Nga mesi i janarit, para se të bëhej zgjedhja e drejtuesve të PD-së, prof. Ylli Popa dhe prof. Arben Puto më kërkojnë që të garoja unë për të marrë drejtimin e PD-së. Kjo, ndofta, ngaqë emri im përflitej për ngjarjet në Fakultetin e Mjekësisë dhe gjykonin edhe sjelljet e Sali Berishës gjatë ngjarjeve që po ndodhnin nga dita në ditë.
Natyrisht, e kundërshtova se kjo ishte pa kuptim për pozicionin tim, të shpërfaqur në rezerva ndaj formave të protestave dhe disa individëve, që me egërsinë e tyre bënin rolin e heroit. U thashë se aty kishte intelektualë me emër si Neritan Ceka, A. Meksi, të cilët nuk kanë qenë në radhët e PPSh-së.
-Jo, – tha prof. Ylli, -se ai manipulon zgjedhjet. Me ty nuk e ka të lehtë.
-Unë kam qenë edhe anëtar i PPSH-së, edhe mjek i Enver Hoxhës, nuk shkon.
-Ti je më i besueshëm, se je mbështetës i studentëve të mjekësisë dhe peticionit, të cilin Saliu nuk e firmosi- vazhdonte të ngulte këmbë prof. Ylli.
-Jo, – i thashë, -se, edhe po ta pranoj, kjo histori nuk shkon gjatë. Profesor, nuk kam prirje për këtë punë dhe shpejt ata do të më heqin qafe. Doktor Ylli, i pakënaqur, më thotë: -Në rast se dështon PD-ja, edhe ne të dy do të kemi përgjegjësi. U ndamë ftohtë, marrëdhënie kjo që vazhdoi gati dy vjet, deri kur Berisha, demonstroi dhunë dhe humbi Kushtetutën. Pas disa ditësh nga kjo ngjarje, më ftoi në shtëpi për kafe.
Në këtë kohë Fatos Nano ishte në burg. Biseduam se çfarë mund të bënim, ne si PS dhe ata si Komitet i Helsinkit,( ku prof. Ylli ishte përfaqësues), për Nanon, i cili ishte konsideruar “i burgosur politik”.
Biseda me prof. Yllin për të më propozuar drejtimin e PD-së, ka qenë konfidenciale dhe unë nuk e kam përmendur asnjëherë në asnjë vend dhe me asnjë njeri, por më duket interesante që këtë e ka përmendur Izet Haxhia në librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”, me të cilin që nga viti 1989, kur e përjashtuam nga fakulteti e deri sot, nuk jam takuar asnjëherë.
Viti 1992
Janari i vitit 1992 filloi ters. Gjatë natës së Vitit të Ri, Ramiz Alia pësoi infarkt miokardi. Menjëherë u mblodh ekipi i klinikës speciale, që dikur përbëhej nga njerëzit më të besuar të udhëheqjes së PP-së, kurse tani të gjithë ishin rreshtuar në opozitë, ose ishin larguar nga PP-ja. Në këtë situatë të dy palët ishin në pozitë të vështirë. Të përkëdhelurit e dikurshëm të Ramizit tani ishin në një pozicion politik si kundërshtarë të tij.
Pasi e ekzaminuan, Ramizi i pyeti për gjendjen dhe prognozën.
Mjekët, për të qenë të kujdesshëm, i thanë se gjendja ishte serioze dhe se flitet për një periudhë inaktiviteti dhe rreziqesh e pasojash të mundshme. Bëhej fjalë, siç e kishte kuptuar Ai, për rreziqe dhe invaliditet, për sa u përket angazhimeve si president i Republikës.
Meqenëse edhe unë vazhdoja të isha anëtar i ekipeve të klinikës speciale, por që nuk ndodhesha i pranishëm aty, Ramiz Alia i kërkon dr. Abazit, drejtorit të klinikës speciale, që të njoftohesha për të ndjekur gjendjen e tij shëndetësore. Në ato ditë të pushimeve të Vitit të Ri, unë isha në Vlorë. Duhej të kthehesha në Tiranë, me porosi të Ramiz Alisë.
Pasi e vizitova, më tha se si e shikoja gjendjen, pasi kolegët e kishin bërë pesimist. I thashë se “mua nuk më duket të jetë gjendje me kërcënim dhe prognozën nuk e shoh të keqe. Sidoqoftë,- i thashë,- mendimin përfundimtar do ta jap, pasi të kem bërë ekzaminimin eko-kardiografik.
Të nesërmen mora aparatin Eko të spitalit dhe bëra ekzaminimin.
-Përfundimisht, -i thashë,- infarkti nuk ka zënë ndonjë zonë të madhe në zemër, ndaj është ruajtur funksioni i saj. Për sa i përket së ardhmes mjekësore, mendoj se do të shkojë mirë. Pas pak ditësh do të dilni nga spitali dhe pas 2-3 javësh mund të filloni aktivitetin me orar të kufizuar. Kuptohet që ky konkluzion i pëlqeu dhe u gëzua. Koha provoi që për shumë vjet ai bëri jetë aktive, duke përballuar edhe burgun.
Netët e para sëmundja e Ramiz Alisë nga kampet politike u interpretua në mënyra të ndryshme. Aty nga viti 1994 K. I. më tregoi se në mesnatën e 1 Janarit 1992 i kishin shkuar në shtëpi A. H dhe A. I. dhe i kishin kërkuar të vërtetën e gjendjes shëndetësore, pasi ata dyshonin se sëmundja e tij ishte simulim për të dhënë dorëheqje, meqenëse konsiderohej i butë dhe i kompromentuar me PD-në dhe në vend të tij do të zgjidhesha unë, si një figurë e fortë ndaj opozitës.
Në fakt, për mendimin tim, këto ishin fjalë pas krahëve e, megjithatë, kishte ndonjë deputet të indinjuar në grupin parlamentar të PS-së, që thoshte se më mirë do të ishte të kishim S. Berishën president.
*Shënim, materiali i botuar i takon disa viteve më parë pasi mjeku Sabit Brokaj ka ndërruar jetë.