Tiranë- Policia e Shtetit dhe e Tiranës kanë çmontuar sot (13 mars) një grup të shitjes së drogës në lokalet e kryeqytetit dhe trafikimin e saj drejt Kosovës.
Burime zyrtare bënë me dije se u finalizua operacioni i koduar “Tentakulat”, për goditjen e një grupi kriminal të implikuar që prej vitit 2019, në shitje dhe trafikim të kanabisit.Identifikohen 10 pjesëtarë të organizatës, të cilët e shisnin lëndën narkotike në lokale në Tiranë, si dhe e trafikonin në Kosovë.
Vihen në pranga 5 prej tyre dhe shpallen në kërkim 5 të tjerët. Të arrestuarit janë: Dritan Uka, Alban Grori alias Alban Gruri, Mehdi Gjoka, Ylber Tahiri alias Ylli Hida dhe Ramazan Doçi.
Gazetari i Report TV, Sokol Dema, informon se në aksion morën pjesë edhe policitë e Krujës dhe Dibrës, si dhe Antidroga e Policisë së Shtetit.
Ky grup bashkëpunonte edhe me 11 anëtarët e organizatës tjetër në Gjirokastër, që u godit gjatë operacionit 'Crossborder line' në nëntor 2024. Droga merrej kryesisht në zonat e Dibrës dhe Krujës dhe më pas trafikohej apo shpërndahej.
Njoftimi i Policisë:
“Në kuadër të operacionit “Tentakulat”, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Departamenti të Policisë Kriminale të DPPSh-së, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe me DVP Dibër, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ekzekutoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës, për shtetasit: D. U., 45 vjeç; A. G. alias A. G., 47 vjeç; M. Gj., 56 vjeç; Y. T. alias Y. H., 51 vjeç dhe R. D., 30 vjeç.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit A. D. alias A. D., 51 vjeç, A. D., 48 vjeç, N. G., 35 vjeç, E. T., 24 vjeç dhe I. P., 34 vjeç.
Këta shtetas akuzohen se të organizuar si grup, që nga viti 2019, kanë siguruar lëndë narkotike Cannabis Sativa, nga zona të ndryshme në Krujë dhe Dibër, dhe më pas e kanë shitur në lokale, në Tiranë, dhe e kanë trafikuar në Kosovë. Nga hetimet dyshohet se 10 shtetasit janë bashkëpunëtorë për kryerjen e këtyre veprave penale, me 11 shtetas të identifikuar nga Policia e Gjirokastrës, gjatë operacionit policor të koduar “Crossborder line”, në muajin nëntor 2024.
Punohet për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë pjesëtarëve të grupit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.
Komente
