Një shqiptar është vënë në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim nga autoritetet policore në Spanjë, të cilët çmontuan një plantacion të madh marihuane në një pyll në Katalonja në pronësi të dy shqiptarëve. Këta të fundit u larguan me vrap sapo u pikasën nga autoritetet.
Mediat spanjolle bëjnë me dije se, pas një hetimi të nisur nga “Mossos d'Esquadra” policia spanjolle zhvilloi një operacion antidrogë pranë Katalunjës, në Pallars Jussà, ku zbuluan një plantacion të madh kanabisi në një pyll midis Senterada dhe Vall Fosca, i cili ishte në pronësi të dy shqiptarëve.
Sikur të ishte skenë e një filmi aksion, policia u vu në ndjekje të trafikantëve shqiptarë, të cilët u arratisën nëpër male sapo diktuan se plantacioni i tyre i drogës ishte zbuluar nga autoritetet.
Sipas mediave, policia spanjolle ndoqi këmba-këmbës dy shqiptarët deri sa i arrestoi, ndërsa për kapjen e tyre u vu në dispozicion edhe një helikopter për t'i ndjekur nga ajri.
Vetëm njëri nga dy kriminelët u kap dhe u prangos, ndërsa tjetri arriti t'u shpëtojë forcave të policisë dhe është ende në kërkim.
Operacioni është ende duke u zhvilluar për të çmontuar kultivimin, i vendosur në një ndërtesë gjysmë të rrënuar në një zonë që është e vështirë për t'u aksesuar dhe që përbëhet nga mijëra bimë marijuanë .
Mësohet se pas mobilizimit të policisë spanjolle njëri prej tyre u arrestua, ndërsa shtetasi tjetër ka arritur të largohet dhe mbetet në kërkim.