Ashtu si shumë amerikanë, gjithmonë kisha ëndërruar të transferohesha në Evropë. Dhe në vitin 2015, në moshën 35-vjeçare, vendosa të largohesha nga Teksasi për në Spanjë, shkruan Cepee Tabibian në një artikull të botuar në të përditshmen amerikane CNBC.
Dy vjet më vonë, themelova “She Hit Refresh”, një komunitet që ndihmon gratë mbi 30 vjeç të bëjnë një hap jashtë vendit. Që atëherë, kam ndihmuar qindra gra të ndërtojnë jetë të reja në vende si Portugalia, Spanja, Franca, Italia dhe Holanda.
Një nga vendet evropiane, që amerikanët ndoshta nuk e njohin ende, është Shqipëria. Por kjo po ndryshon! Vitet e fundit, dëgjoja shpesh për Shqipërinë nga anëtarët e komunitetit tim. Disa prej tyre ishin transferuar atje dhe nuk mund të ndalonin së foluri me entuziazëm për të.
Në vitin 2024, qëndrova një muaj në Shqipëri, kryesisht në kryeqytet, Tiranë, dhe përgjatë bregdetit. Doja të shihja se për çfarë bëhej fjalë dhe ajo që zbulova më habiti vërtet!
Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë – asnjë vend nuk është, por për shumë amerikanë që ëndërrojnë një jetesë jo shumë të shtrenjtë, ajo plotëson shumë kushte. Ja pse e konsideroj “Destinacionin Numër 1” në Evropë për ata që shpresojnë të zhvendosen nga SHBA-ja.
Çuditërisht është e përballueshme
Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë ku ende mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj. Kjo kosto e ulët jetese është një nga arsyet më të mëdha pse amerikanët po dynden atje. Merrni shembull Cheryl Orlov, e cila u zhvendos nga Redondo Beach, Kaliforni, në Tiranë.
Edhe pse kostoja e jetesës po rritet në Tiranë, është ende shumë më e ulët se në Kaliforni. Qiraja për një apartament me dy dhoma gjumi në Tiranë, për shembull, është më pak se një e gjashta e asaj që paguhet për një vilë me dy dhoma gjumi në “Redondo Beach” në Kaliforni.
Ushqimet, ngrënia jashtë dhe kujdesi shëndetësor janë gjithashtu shumë më të përballueshme. Për nomadët digjitalë dhe pensionistët, Shqipëria ofron një cilësi jetese që është gjithnjë e më e lirë se në shumë qytete të SHBA-së.
Mund të qëndroni deri në një vit pa vizë
Një nga avantazhet më të mëdha të Shqipërisë është se amerikanët mund të jetojnë atje pa vizë deri në 12 muaj, një përfitim i rrallë në Evropë. Mund të hipni në avion sonte dhe të filloni jetën tuaj të re në Shqipëri nesër, pa pasur nevojë për dokumente.
Kjo e bën ideale për ata që duan të “provojnë” jetën jashtë vendit pa pasur nevojë të kalojnë nëpër proceset komplekse të marrjes së vizave. Ndërsa isha në Tiranë, u takova me Denisa Kaca Bradley, themeluese e “Expats in Albania”, për të mësuar më shumë rreth opsioneve të emigracionit. Ajo më shpjegoi se ndërsa qëndrimi përtej një viti kërkonte dokumente, organizata e saj i ndihmonte të sapoardhurit me këtë proces.
Në takimet e saj javore, takova dhjetëra amerikanë: gra beqare, çifte dhe familje. Shumë e shihin Shqipërinë si trampolinë. Ata qëndrojnë për një ose dy vite, të tjerë zgjedhin të qëndrojnë për një periudhë afatgjatë.
Është natyrshëm një vend mahnitës
Nga Alpet Shqiptare në veri deri te ujërat bruz të detit Adriatik në perëndim dhe detit Jon në jug, peizazhi i vendit është marramendës. Gjatë udhëtimit tim, udhëtova me makinë përgjatë Rivierës Shqiptare dhe vizitova Sarandën, një qytet bregdetar të gjallë me një shëtitore të bukur.
Ishte shtator dhe moti ishte mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar dhe për të marrë rreze, por plazhet ishin praktikisht bosh - një kënaqësi e rrallë krahasuar me vende si Spanja apo Italia.
Në një ditë të kthjellët mund ta shihni Greqinë në distancë! Ishulli i Korfuzit është vetëm 30 minuta larg me traget. Nuk arrita të shkoja në malet veriore, por ato janë në listën time për vizitën tjetër. Fshatrat e largëta, shtigjet e ecjes dhe peizazhet e mrekullueshme e bëjnë atë një ëndërr për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë.
Shqiptarët janë mikpritës
Deri në fillim të viteve 1990, Shqipëria ishte kryesisht e mbyllur ndaj botës nën regjimin komunist. Turizmi është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit. Si rezultat, Shqipëria ende ndihet autentike shqiptare.
Në të njëjtën kohë, shqiptarët janë dukshëm mikpritës ndaj amerikanëve, diçka që i ka habitur shumë emigrantët. Ndjenja pro-amerikane dhe miqësia ndaj emigrantëve e bën më të lehtë për të sapoardhurit të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të lidhen me komunitetin vendas.
Në qytete si Tirana dhe qytete bregdetare si Vlora, ka gjithashtu një numër në rritje të të huajve që po “lëshojnë rrënjë”.
Monica Miranda, një amerikane që u zhvendos nga Nju Xhersi në Vlorë në moshën 43-vjeçare me qenin e saj – ka gati dy vjet që jeton në Shqipëri dhe kohët e fundit mori kartën e saj të qëndrimit 5-vjeçar.
“Nuk dija shumë për Shqipërinë. Por në momentin që mbërrita, diçka më tërhoqi. Një muaj u shndërrua në dy”, tha ajo.
“Kam ndërtuar një komunitet mbështetës emigrantësh nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Australia dhe Amerika Latine. Takohemi disa herë në javë. Ka qenë një përvojë tepër emocionuese”, tha Monica Miranda.
“Mund të mos jetë vendi i parë që më vjen ndërmend, por për shumë amerikanë që kam takuar, Shqipëria është bërë vendi i duhur në kohën e duhur”, theksoi ajo./ CNBC
Komente

Edhe keta kishim magnet....
PërgjigjuMire do ishte edhe nje sistem per viza pune per ndonje shtetas amerikan qe do te punesohet full time ne Shqipëri me merit based viza 2 vjecare dhe rinovim vetem me kusht puna dhe A2 Shqip nivel gjuhe , do duhen edhe kuota jo me shume sesa 1000-5000 shtetas te nje vendi tjeter ne vit , kjo e zbut tregun per nje vend te Vogel dhe e modernizon sipas merite - based system ! Merita dhe aftesia janë prioritet ! Besoj edhe per biznes do te kete me qindra aplikime nese behet nje opsion i tille
PërgjigjuDo te ishte mire te rregullohet dhe ky lloj emigrimi se perndryshe do te krijohen mosbarazi Midis shqiptareve qe jane lindur e rritur aty dhe te huajve qe kane mundesi ekonomike me te medhaje. Do te vij puna dhe do te behet shqiptari skllav i te huajit ne vend te vet. Shpresoj qe te Mos shiten apartamente dhe trualle te huajve Por te preferehot shqiptari.
PërgjigjuShqiptari nuk do te behet , Shqiptari eshte skllav ne vend te tij (70%) kjo vertetohet mjafton te veshesh pandoflat dhe te besh nje gjiro me urban kupton sesa e lodhur eshte politika vendase