Presidenti amerikan Donald Trump u përpoq të pengonte presidentin rus Vladimir Putin të mos sulmonte Ukrainën, duke kërcënuar se do të bombardonte Moskën në shenjë hakmarrjeje. Kështu raporton CNN, e cila ka siguruar një audio të deklaratës së Trump të bërë gjatë një takimi privat me donatorë vitin e kaluar.
"I thashë Putinit: 'Nëse shkon në Ukrainë, unë do të bombardoj Moskën. Po të them, nuk kam zgjidhje tjetër'", tha Trump gjatë një mbledhjeje fondesh në vitin 2024. "Putini tha: 'Nuk të besoj'. Por ai më besoi 10%", shtoi Trump.
Trump më vonë pretendoi se i kishte përcjellë një paralajmërim të ngjashëm presidentit kinez Xi Jinping lidhur me një pushtim të mundshëm të Tajvanit, duke i thënë atij se SHBA-të do të bombardonin Pekinin si kundërpërgjigje.
“Ai mendonte se isha i çmendur”, tha Trump për Xi-në, duke theksuar më pas se “ne nuk patëm kurrë problem”.
Trump, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, ka mbajtur një linjë më pozitive me Vladimir Putin në krahasim me administratën Biden, por kohët e fundit ka shprehur zhgënjimin për rezistencën e tij ndaj një marrëveshjeje paqeje. Të martën ai tha se udhëheqësi rus po thoshte shumë ‘budallallëqe’ për Ukrainën.
Lidhur me këtë artikull të CNN ka reaguar edhe Kremlini, duke thënë se nuk e di “nëse ishin lajme të rreme apo jo.
"Ka shumë lajme të rreme sot, shpesh ka më shumë lajme të rreme sesa informacione të vërteta", tha zëdhënësi Dmitry Peskov , i cituar nga RIA Novosti. "Kur analizojmë këtë apo atë lajm, nisemi nga ky supozim."
