Politikë
Ekonomi

Çoçoli: Programi i PD për 100 ditët e para e fut buxhetin në kolaps dhe qorrsokak, mision i pamundur! Muço: PS kopjoi programin e PD, takson më shumë profesionistët

17 Prill, 16:36| Përditesimi: 17 Prill, 16:51

  • Share

Rritja e pensioneve dhe rrogave brenda 3 muajve të parë të qeverisjes nga PD nëse fiton zgjedhjet e 11 majit, është një “mision i pamundur” dhe e fut buxhetin në qorrsokak.

Ky ishte mendimi analitik i ekspertit Fatos Çoçoli, teksa theksoi se premtimet bazë që PD ka bërë kryesisht, që lidhen me pensionet dhe rrogat, shkojnë në të paktën 1,9 mld euro e që nuk mund të gjenden në 100 ditët e para, siç dhe është premtuar.

Përballja e programeve elektorale PS dhe PD me shifra dhe ekspertizë ekonomike ishte edhe tema e sotme në ‘Studio Live’ të Report Tv.

Moderatori Arbër Hitaj kishte të ftuar edhe ekspertin tjetër të ekonomisë, Klodian Muço, njëkohësisht përfaqësues i PD-së për zgjedhjet e 11 majit.

“PD sot është me politika të majta. Me premtimin ekonomik të taksave, i ka mbetur ora te viti 2007 për taksën e sheshtë. PS ka taksën progresive që është 13% për punën dhe sipas rrogës e shkallës së saj, pastaj është taksa mbi kapitalin apo mbi dividentin. Katër vende të Europës e kanë taksën e sheshtë aktualisht. Buxheti kalon në kolaps nëse pensionet rriten në 3 muajt e parë siç premtohet nga PD, në tre muajt e parë. Kjo mund të shtrihet në kohë, por jo në 100 ditë, nuk mund të bëhet në tre muaj, se ka kosto dhe shkakton kolaps ekonomik. Premtimi i PD në 100 ditë kërkon 1,9 mld euro, është e pamundur”, tha Çoçoli.

Madje ai dha edhe shifra ekonomike të analizuara, që bënin të pamundur burimin e parave për t’i realizuar, duke sugjeruar që premtimi për pensionet të mendohej më mirë përsa i përket tre muajve të parë.

“Ke mbi 500 mijë pensionistë me 170 mijë lekë në muaj dhe më poshtë, si do ia rrisësh në 200 euro direkt në 3 muaj, ku do gjenden këto para? Është mision i pamundur. Vetëm ky premtim mos të realizohet se do e fusni buxhetin në qorrsokak”, konstatoi eksperti Çoçoli.

Kurse Klodian Muço tha se taksa e sheshtë duhet aplikuar, sikurse edhe rritja e pensioneve dhe minimumi jetik, duke shprehur garanci se paratë janë të gjendshme nga PD.

Ai këmbënguli te programi i PD për minimumin jetik 200 euro, taksën e sheshtë, rroga minimale 500 euro dhe pensione 200 euro.

“Vendet e zhvilluara të BE-së si Franca apo Gjermania kanë taksën progresive dhe me shkallë si sistem fiskal. Në vendet më pak të zhvilluara propozohet dhe aplikohet sistem fiskal i thjeshtë dhe i ulët, pasi nuk kanë ekonomi të zhvilluar. Koha ka treguar që takson më shumë profesionistët, ndaj duhet ndryshuar. Profesionisti taksohet deri në 23%, kurse të tjerët me 15%. Taksa progresive me këtë sistem takson më shumë profesionistët. Biznesi nuk duhet të konsiderohet armik. Dhe të gjithë këto profesione në të ardhmen do taksohen me 10%, pra me taksën e sheshtë, këtë ofron programi i djathtë i PD-së. Nuk janë tepër, janë vetëm 350 mln euro, kaq është kostoja shtesë e pensionit që premton PD”, tha ai.

Muçoi akuzoi edhe socialistët për kopjimin e programit:

“Këta të PS kaluan në kopjim programi, premtoi PD rritje rrogash e pensionesh, dolën edhe ata i premtuan. PS nuk kishte program, e kopjoi nga PD. Edhe Bankën e Zhvillimit, edhe pensioni minimal që thamë se do bëhej 200 euro, para 15 ditësh doli PS dhe e premtoi”, tha ai ndër të tjera.

Dy ekspertët ndanë mendime të kundërta edhe për programet që ofron e djtahta në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim.

Muço tha se fokusi i PD është qytetari dhe biznesi dhe jo infrasktruktura, kurse Çoçoli kujtoi se e djathta shpërdoroi mundësinë e mirë që u dha FMN-ja dikur, që të mos fokusoheshin më shumë te rrugët në qeverisjen e tyre.

Muço tha gjithashtu se do rriteshin vendet e punës edhe në mjekësi, nëpërmjet dyfishimit të tyre në mandatin e parë, sikurse edhe rritjen e cilësisë së shërbimit në spitale. Por eksperti Çoçoli e pyeti se ku do i gjente PD-ja të ardhurat financiare për ta realizuar dhe për t’i paguar këta mjekë.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?