Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Kreshnik Çollaku, ka komentuar zhvillimin paszgjedhor të 11 Majit. Çollaku për Report Tv ka thënë ditën e sotme se qëndrimi i Berishës për të vijuar numërimin është, në lloj mënyre, pranim i rezultatit.
Nga ana tjetër, Çollaku tha se reagimi për kontestim mund të bëhej para ditës së votimit, ku pati disa raste publike. Më tej, ai tha se opozita duhet të dalë nga ideja e të bërit opozitën qaramane dhe të bëjë pyetjen se, nga kjo disfatë e dalë, përse del e humbur sërish.
Çollaku: Këto janë reagime normale, e udhës është që të pritet, të mbështetet procesi i çdo vote. Ky ka qenë apeli i zotit Berisha. E vetmja pikëpyetje që unë kisha, dhe të jem fare i sinqertë, është nëse do të pranohej apo jo procesi, sepse gjatë ditës së votimit dhe para ditëve të votimit dukej se kishte situata jashtëzakonisht të nxehta me denoncime, struktura të blerjes së votave dhe krime elektorale në të gjithë vendin. Edhe ditën e zgjedhjeve, ngjarjet te Njësia 5, edhe të gjitha me radhë. Unë mendoj që me këtë përgjigje, me këtë qetësi, praktikisht drejtuesit e PD-së e kanë pranuar procesin. Kur pranon procesin, është një farë pranimi.
Gazetarja: Po rezultatin?
Çollaku: Logjikisht, derisa pranon procesin, pranon dhe rezultatin dhe mendoj që në këtë logjikë do të kalohet dhe te pranimi i rezultatit. Unë hyj te politikanët që besoj se vendi nuk ka nevojë për një opozitë qaramane. Kështu që, në ato rastet kur dalim nga disfata dhe s’kemi bërë asgjë për të kuptuar pse na ndodhi, po jemi qarë, që na vodhi, na vodhi. Kjo duhet të marrë fund.
Komente
