Politikë

Çollaku për Report Tv: PD t’i nënshtrohet reformës së thellë, të lejohen fraksionet! Nëse s’shkoje te ballkoni i Berishës të quanin armik (VIDEO)

1 Gusht, 14:16| Përditesimi: 1 Gusht, 16:14

  • Share

Partia Demokratike duhet të bëjë analizë të thellë, të reformohet, nga drejtuesit e lartë dhe deri tek të strukturat poshtë, të lejohet mendimi i hapur dhe deri fraksionet, ku qëllimi të jetë rrëzimi i qeverisë së Edi Ramës.

Përçarja e PD-së para zgjedhjeve dhe sektarizmat, numërimi i pjesëmarrjeve poshtë ballkonit të Sali Berishës nga ata që donin të ruanin karriget e tyre, ishin shkaku që i krijoi mundësinë dhe i hapi derën qeverisë për të manipuluar zgjedhjet dhe shkaktuar farsën elektorale.

Kështu u shpreh deputeti i PD-së Kreshnik Çollaku sot në Report Tv, teksa u pyet nga gazetari Nertil Agalliu.

Ai sugjeroi që në shtator PD të mos i ndjekë mandatet e saj të deputetit që janë të pafuqishme para 86 kartonave që kontrollon Rama, por t’i bllokonte ato me shkuarje një herë në 6 muaj dhe kalimin e betejës dhe misionit tek qytetarët dhe baza.

“Partia Demokratike dhe zoti Berisha në këtë periudhë pas zgjedhjeve kanë zhvilluar një proces që unë e kam mbështetur dhe do e mbështes. Evidentimin e farsës, asaj që quhet farsë, unë e mbështes dhe nuk mund të pranoj që ky debat të mbyllet. Kjo tregon se mekanizmi i manipulimit të votës nga Rama vazhdon. Kjo ekspozon edhe dobësinë dhe paaftësinë e sistemeve të opozitës, PD-së në radhë të parë, për ta përballuar dhe zgjidhur këtë fenomen. Pikëpyetja më e madhe është se si do të qaset PD dhe grupi i saj parlamentar me Parlamentin në shtator. Shifrat e bëjnë të pavlefshme të pafuqishme opozitën në parlament, Rama zotëron të paktën 86 mandate në sallë. Ka votat për të ndryshuar çdo ligj dhe kod. Një Parlament monopartiak nga funksionimi”, u shpreh ligjvënësi demokrat.

Më tej ai bëri edhe një propozim për strategjinë që duhet ndjekur:

“Rrezikon të kthehet një opozitë fasadë nëse nuk ka peshën e votës, edhe nëse voton kundër e bën interpelanca. Por edhe duke djegur karrige kthehet në fasadë. Unë nuk jam poër bojkot apo djegie mandatesh, por mendimi im është që të bllokohen mandatet, të merren seancën e parë dhe më pas të shkojë pas 6 muajsh e kështu të vijoj, pra të mos i djeg por të bllokojë ato”.

Por vuri theksin tek reformimi dhe analiza e thellë që PD dhe opozita në vetvete duhet t’i nënshtrohen pas asaj humbjeje të 11 majit.

“Nga ana tjetër opozita duhet të reformohet, duhet të shohë të vërtetën në sy, të hapë dialogun, për të kuptuar ku kemi defektuar dhe ku nuk shkon, sepse deri tani ka treguar që nuk e ka krijuar dot atë masën e vetë për ta rrëzuar qeverinë. Grupi parlamentar duhet të bëjë Kuvend me shqiptarët dhe jo të bëjë fasadën e qeverisë dhe parlamentit monopartiak në sallë, sepse ndryshe kthehet nga farsë elektorale në farse në vetëvete. Opozita të mbajë qëndrim të qartë me parlamentin, me kauzë të hapur, të hapet me shoqërinë dhe me veten”, tha Çollaku.

Ai kërkoi edhe mbajtjen e përgjegjësive për këtë humbje, nga strukturat drejtuese, deri tek ato poshtë. Kurse shkakun kryesor të humbjes ia faturoi përçarjes brenda PD-së dhe opozitës që nuk u bashkua dot. Ai sugjeron edhe fraksionet brenda partisë.

“Jemi në kohë, ndonëse pak vonë, duhet të nisë një analizë e brendshme, jo formale dhe për të kaluar radhën, por një dialog të madh brenda vetes, të përfshihen të gjithë, për të luftuar sëmundjet e brendshme e që janë fatale, si përçarja dhe sektarizmi, refuzimi i mendimit kritik. Nuk duhet të jetë mendimi kritik i sulmuar nëse kritikohet drejtuesi apo kryetari, këto nuk kanë qenë të PD-së, ku kritika ishte oksigjen, por shpesh ka rrëshkituar. Përgjegjësia ka emra, nga nivelet e larta, deri tek të ulëtat dhe kjo duhet parë. Denokratët i bën liria për t’i thënë gjërat, qëndrimet e ndryshme nuk i bën më pak demokrat asnjë nga palët. Duhet të gjejmë mekanizmat funksionalë për të qenë bashkë. Unë kam propozuar edhe fraksionet, nuk ka asnjë problem edhe nëse mendojnë kundër kryetarit dhe kryesisë, ata mbeten demokratë. Kjo është dialektike që të japësh mendim, por t’i thuash armik, kjo është sektarizëm, është sëmundje, përçarja e solli këtë dhe favorizoi Ramën, pikërisht dnarja”, u shpreh deputeti.

Çollaku rrëfeu edhe eksperienca personale para dhe gjatë fushatës së 11 majit në qarkun e Dibrës dhe më gjerë. Ai tha se pati sektarizma ku mbështetja matej me sa herë shkoje te ballkoni i Berishës.

“Sepse demokratët edhe para fushatës, Primare e më tej merreshin me ti që ke ardhur te ballkoni Berishës je demokrat dhe ti që s’ke ardhur je armik. Rama i vodhi zgjedhjet, por dyertë ia lanë hapur demokratët. Sepse nuk mundet Rama duke luftuar për karrigen tëndë, ti ke ardhur kaq herë te ballkoni i Berishës, ti s’ke ardhur, teksa Berisha bënte thirrje për bashkim, këta të vegjlit ziheshin brenda vetes për karrigen. E njëjta gjë ndodhi edhe në Dibër, të njëjtët ishin hajdutët e votave para katër vitesh kur ishte bastion dhe pas katër vitesh e humbën atë, sepse ndodhi kjo gjëja e përçarjes dhe provincialja, me ata të vegjlit apo ata që thoshin se s’ke ardhur te ballkoni Berisha. Jo se u dhimbsej Berisha, por karrigia e tyre. Kjo ndodhi edhe në Dibër. Ata atje fituan 100% të kutive të Primareve dhe humbën 100% të kutive në zgjedhjet e 11 majit. Ja këta ishin ata, krijuan përçarjen dhe krijuan terren të butë për Ramën”, përfundoi Çollaku.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?