PRISHTINË - Ndeshja mes Ballkanit dhe Dinamo Zagreb, e zhvilluar më 5 tetor 2023 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të grupeve të Conference League, dyshohet se është e trukuar. Rreth kësaj çështje, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Rastit të cilit i jeni referuar, më konkretisht dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Kurdisja e ndeshjes ose e sportit”, nga neni 337 të KPRK-së, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar këtë çështje”, ka thënë Ulaj për TV Dukagjinin.
Sipas saj, përveç institucioneve përkatëse të Kosovës, në këtë rast është përfshirë edhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar. "Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë veprime në drejtim të kësaj vepre penale, përfshirë edhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në këtë çështje”, tha Ulaj.
Në ndeshjen në fjalë, Ballkani fitoi ndaj Dinamo Zagreb me rezultat 2-0. Në ndeshjen e kthimit dy muaj më vonë në stadiumin “Maksimir” në Zagreb, konkretisht 14 dhjetor 2023, skuadra kroate triumfoi me rezultat bindës 3-0.