Reykjavík - Kampionët e Shqipërisë në futboll, Egnatia ia doli të fitonte 0-1 në Islandën e largët kundër Vikingur. Dueli vlente për ndeshjen e parë në turin e dytë të Conference League, me rrogozhinasit që sigurojnë një avantazh të rëndësishëm për në ndeshjen e kthimit, e cila luhet më 1 gusht në "Loro Boriçi" të Shkodrës.
Goli që i dha suksesin të besuarve të Edlir Tetovës u shënua nga Xhoel në minutën e 33-të të takimit. Paçka se vetëm pak ditë më parë shitën Ibrahimoglu te Konyaspor dhe Alen Sherrin te Cagliari, si dhe me mungesën e Zejnullait të pezulluar, Egnatia siguroi suksesin.
Një rol kyç në fitoren e kampionëve të Shqipërisë kishte edhe portieri Ilir Dobjani, që në debutimin e tij në Kupat e Evropës bëri gjashtë pritje deçizive, duke "harruar" largimin e Sherrit.
Të enjten më 1 gusht luhet ndeshja e kthimit në "Loro Boriçi" të Shkodrës, aty ku do vendoset edhe skuadra që kalon më tej.