Trabzonspor dhe Basel luajnë sot në 18:45 për ndeshjen e parë të fazës së 1/16 në Conference League. Dueli do zhvillohet në stadiumin “Medical Park” në Trabzon, teksa ky do jetë aktiviteti i parë sportiv në Turqi pas tërmeteve që morën mbi 40 mijë jetë njerëzish.
Trajneri i Trabzonspor, Abdullah Avci në konferencën për mediat ka bërë me dije se ekipi i tij është i dërrmuar nga ana psikologjike, teksa kërkon që futbolli t’i kthejë buzëqeshjen vendit pas dy javëve të fundit mes zisë për viktimat.
“Faleminderit kombit tonë. Dhimbja dhe pikëllimi ynë është i madh. Ne jemi vërtet të lënduar por po përgatitemi për ndeshjen më të vështirë të jetës sonë. Nuk është e lehtë të përgatitesh për ndeshje të tilla. Ne duam të përfitojmë nga fuqia shëruese dhe unifikuese e futbollit. Do të përpiqemi ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme. Do dalim në fushë me gjithë energjinë dhe emocionin tonë. Do të jemi shumë të lumtur nëse mund t’i japim një buzëqeshje vendit tonë pas fatkeqësisë që kemi kaluar”, tha trajneri i Trabzonspor.
Ndërkohë që shumë nga grupet ultras të skuadrave të tjera në Turqi janë bërë bashkë për të mbështetur Trabzonsporin në ndeshjen e sotme.