Napoli ka hequr dorë nga përpjekjet për të transferuar sulmuesin shqiptar, Edon Zhegrova. Sipas raportimeve të shumta në Itali, përfshirë të përditshmen prestigjioze “Corriere dello Sport”, trajneri Antonio Conte ka vendosur të ndërpresë çdo negociatë për anësorin e Lille.
Megjithëse drejtori sportiv i Napolit, Giovanni Manna, e kishte futur Zhegrovën në listën e objektivave të merkatos, vendimi final i përket Contes, i cili ka kërkuar zyrtarisht që bisedimet me lojtarin të ndalohen.
Lajmi është konfirmuar gjithashtu nga “arenanapoli.it”, si dhe nga disa media të tjera pranë klubit kampion të Italisë, të cilat raportojnë se Zhegrova nuk figuron më në planet e Napolit për sezonin 2025-26.
Aktualisht 25-vjeçari është në proces rikuperimi nga një lëndim i pësuar në dhjetor të vitit të kaluar, i cili e ka mbajtur larg fushave për më shumë se gjashtë muaj.
Kësisoj, e ardhmja e Zhegrovës mbetet e hapur, ndërsa merkatoja e verës sapo ka nisur dhe interesimi për talentin nga Kosova mund të vijë nga kampionate të tjera evropiane.
Komente
