Qendra Kombëtare e Kinematografisë për shkak të pandemisë COVID 19 ka anuluar disa aktivitete ndërkombëtare. Pjesëmarrja në Festivalin e Filmit në Kanë është anuluar, dy projektet “Ditët e filmit shqiptar në Shkup” dhe ditët e filmit shqiptar "Casa del Cinema" në Romë janë shtyrë. Ndërsa, projekti “Efa young Audience Award”, i cili do të organizohej gjatë muajit prill në Tiranë është anuluar.
Cilat janë projektet që kishit planifikuar deri në mbyllje të sezonit janar-qershor 2020 dhe cilat janë pezulluar për shkak të COVID-19?
Qendra Kombëtare e Kinematografisë, e cila zhvillon aktivitetin e saj në zbatim të ligjit nr. 8096, datë 21.03.1996, “Për kinematografinë” të ndryshuar, ka si objekt kryesor të aktivitetit të saj mbështetjen financiare të projekteve kinematografike. Në përmbushje të detyrave
të saj ishin planifikuar të zhvilloheshin edhe këto projekte të cilat janë shtyrë/anuluar për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19:
1. Është anuluar projekti “Pjesëmarrja e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë me pavijon në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë, edicioni i 73-të”.
2. Është shtyrë projekti “Ditët e filmit shqiptar në Shkup”, i cili do të organizohet me iniciativën dhe bashkëpunimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Shkup Maqedoni.
3. Është shtyrë projekti “Ditët e filmit shqiptar në "Casa del Cinema", në Romë“, i cili do të zhvillohet në Itali”, në bashkëpunim me Fondacionin “Oçhio blu”, në Itali.
4. Është anuluar projekti “EFA YOUNG Audience Award”, i cili do të organizohet në Tiranë, në datën 26 Prill 2020.
Sa është fondi i projekteve të pezulluara në total? Çfarë do të ndodh në këtë rast, si do të menaxhohen?
Për shkak të situatës së krijuar buxheti i QKK është rishikuar nga Ministria e Financave, këshut që ne do të procedojmë me buxhetin e mbetur në dispozicion. Fondet e projekteve të anulluara do të përdoren për mbështetjen financiare të projekteve kinematografike që do të shpallen fitues në konkursin që do të hapet shumë shpejt. Fondet e projekteve të pezulluara do të përdoren brenda vitit kalendarik kur do të zhvillohen këto projekte.
Cilat janë iniciativat e institucionit tuaj këtë periudhë për të qenë pranë publikut, edhe pse jo drejtpërdrejtë?
Ashtu siç theksuam më lart, objekti kryesor i punës së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë është mbështetja financiare e projekteve kinematografike. Duke qenë se producentët janë pronarë të filmave, janë ata që mund të ndërmarrin iniciativa të drejtpërdrejta.
Nëse kjo situatë do të zgjatë a keni një plan rezervë?
Ne jemi optimistë që kjo situatë do të përfundojë shpejt. Gjithsesi në rast se do të zgjasë tej parashikimeve, ne jemi duke hartuar një plan për ecurinë e aktivitetit të institucionit, të cilin do ta bëjmë me dije në javët në vijim.
Dhe së fundmi, pagat e punonjësve të institucionit tuaj janë prekur (apo përgjysmuar) deri më tani nga iniciativat e qeverisë?
Fondi i pagave të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë përfshin vetëm pagat e stafit. Ky fond nuk është cenuar.