Franca "gradualisht do të hapë kufijtë e saj të jashtëm Shengen nga 1 korriku".
Kjo u njoftua nga Ministrat e Jashtëm Jean-Yves Le Drian dhe Ministri i Brendshëm Christophe Castaner në një deklaratë të përbashkët.
"Vendimi është marrë në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian të paraqitur të enjten".
Sipas ministrave, "kjo hapje do të kryhet në mënyrë progresive dhe të diferencuar sipas gjendjes shëndetësore të vendeve të ndryshme të treta dhe sipas procedurave që janë miratuar në nivelin Evropian".
Komisioni Evropian ka rekomanduar para dy ditësh hapjen graduale të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian nga 1 korriku, për shtetasit e huaj, duke marrë parasysh situatën epidemiologjike.
Komisioni ka propozuar që masa e ndalimit të hyrjes në BE, të hiqet për ato vende, të cilat dëshmojnë se situata e përhapjes së koronavirusit është e menaxhueshme.
Në propozimin e Komisionit Evropian, kufizimet është kërkuar që të hiqen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi.
Komisioni e ka arsyetuar këtë kërkesë, me faktin që “situata epidemiologjike e tyre është e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në BE”.
Sipas tij, ky rekomandim është edhe në përputhje me gadishmërinë e shprehur të Komisionit Evropian që të përfshijë për së afërmi vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e udhërrëfyesit për heqjen e masave kufizuese në luftën kundër pandemisë.