Franca po shkon drejt rikthimit të disa prej masave kufizuese për të frenuar rritjen e rasteve të reja të infeksionit prej Covid-19.
Në Marsejë, baret dhe restorantet do të mbyllen nga 23 e mbrëmjes deri në orën 6 të mëngjesit dhe në vendet publike do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskës.
Masat e reja të sigurisë vijnë pasi në vetëm një javë në departamentin Bouches-du-Rhone janë regjistruar 3000 raste të reja infeksioni.
"Situata është alarmante"- pranoi kryebashkiaku Christophe Mirmand duke shtuar, "Do të mbyllim të gjitha baret, restorantet dhe dyqanet gjatë natës."
Në Itali, rritja e rasteve të reja në Sardenjë është shqetësuese, ku gjatë 24 orëve të kaluara u regjistruan 91 të prekur nga Covid.
Përhapja e koronavirusit në ishull, sipas autoriteteve është e lidhur me fluksin e turistëve në diskoteka dhe festa private. Gjithashtu dje u identifikuan me koronavirus edhe 52 punonjës të Porto Cervo si dhe u njoftua se Miliarderi sipërmarrës italian Briatore ishte me Covid dhe ndodhet në spital.
Në sens të kundërt, rastet e reja janë duke u zvogëluar në Sllovaki, një nga vendet evropiane që ka menaxhuar më mirë pandeminë. Sidoqoftë, autoritetet nuk kanë ulur vigjilencën dhe janë deklaruar se do të shpallin kufizime të reja sidomos në shtëpitë e të moshuarve dhe përsa i përket tubimeve private.
Mynihu, në Landin gjerman të Bavarisë ka vendosur të ndalojë konsumimin e alkoolit në hapësirat publike pas orës 23 të mbrëmjes dhe shitjen e pijeve alkoolike, pas orës 9 të mëngjesit, për t'i dhënë fund jetës së natës, në tentativë për të frenuar përhapjen e Covid.
Kjo u njoftua sot nga kryebashkiaku i qytetit Dieter Reiter, duke marrë parasysh që infeksionet e reja për të shtatën ditë më rradhë janë 35 pozitivë për 100,000 banorë.
"Vendimi nuk ishte i lehtë - tha kryetari i bashkisë - por në këtë kohë pandemie, kryesore mbi të gjitha është mbrojtja e shëndetit të popullatës”
Pas rastit të parë zyrtar të riinfektimit në Hong Kong, edhe në qytetin e Roterdamit në Holandë autoritetet kanë konstatuar një rast të ngjashëm. Ai është një 33 vjeçar i sapo kthyer nga Spanja.
Organizata Botërore e Shëndetit ka minimizuar mundësinë që rastet e riinfektimit të krijojnë një alarm të ri shëndetësorë
"Shanset për tu infektuar për së dyti janë minimale", është shprehur Organizata, e cila megjithatë pranon që ky evolucion nuk duhet të nënvlerësohet.