Kronikë

COVID godet rininë, 25 vetë në ditë kërkojnë psikiatrin, Arjana Rreli për Report Tv: Shumë të sëmurë, pak psikiatër

20 Qershor 2021, 14:16| Përditesimi: 20 Qershor 2021, 17:07

  • Share

Periudha e pandemisë  ka rritur numrin e qytetarëve që përjetojnë stres. Psikiatrja Arjana Rreli tregon se kjo e pengon individin në aktivitetet e përditshme.

“Në situatën që ne jemi një vit pas pandemisë kemi në terren tashmë edhe shfaqjen e stresit kronik, pra persona të cilët nuk e kanë përjetuar, nuk kanë kërkuar ndihmën, nuk e kanë tretur dot stresin që u instalua direkt pas sulmit të mendjes që ju bë nga ky virus, kanë filluar të shfaqin shenjat e para të stresit që i ngjajnë shumë stresit akut por që ndërhyn më shumë në mënyrën e funksionimit të individit duke e penguar atë në mbarvatjen normale dhe në një ditë aktivitetesh që ai i zhvillon me të gjitha kompetencat e veta”, tha psikiatrja Arjana Rreli.

Grupmosha më e prekur është 20-40 vjec. Psikiatrja tregon dhe faktorët që çojnë rinin drejt stresit.

“Aktualisht ne shohim që grupmosha më e prekur është ajo e rinisë, sidomos moshat 20-40 vjeç. Është pikërisht kjo moshë dhe sidomos rinia ajo që shfaq më së shumti për fatin e mirë shenjat e ankthit pa ndryshime të mëdha të humorit, për faktin që kjo moshë u përball më egër me pasojat e këtij virusi duke ndërhyrë si në funksionimin e tyre okupacional, një pjesë e mirë u detyruan që të zhvillojnë aktivitetin e tyre ndryshe nga çfarë ishin mësuar më përpara por rinia është edhe me kohën më tepër për të bërë aktivitet së bashku, për të qëndruar deri vonë kështu që u kufizua. Distancimi social ishte gjithashtu vuajtja tjetër sepse dikush nuk shihte dot prindin e sëmurë dhe kështu instalohej dhe gjendje ankthi plus dhe shpeshherë është po kjo rini që përballet me modele të cilat në mendjen e tyre janë të paarritshme. Në tentativa për ta kapur këtë model futet në një ngërç psikologjik që refektohet në ankth", tregoi psikiatrja.

Teksa rastet janë në rritje, Rreli thotë se numri i psikiatërve është shumë pak për të përballuar nevojat e shoqërisë.

“Në një ditë të zakonshme mund të jenë mesatarisht 20-25 raste që vijnë për herë të parë. Dhe unë këtu flas mesatarisht dhe jap eksperiencën time ndërkohë që jam pothuajse e sigurt që ndaj të njëjtin opinion dhe me të gjithë kolegët e mi psikiatër. Ne jemi akoma shumë pak për të përballuar gjithë këtë fluks që erdhi papritur", tha ndër të tjera psikiatrja Rreli.

Psikiatrja këshillon për një jetë sa më të shëndetshme, duke u fokusuar në aktivitete sportive, jetën sociale dhe shmangien e substancave abuzive.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?