Kriza që shkaktoi pandemia COVID-19, në vitin e kaluar ka mbyllur 1526 biznese. Sipas të dhënave nga INSTAT të publikuara këtë të mërkurë thuhet se numri i ndërmarrjeve është ulur me 1.5% krahasuar me vitin 2019. Mbyllja e aktivitetit ekonomik ka sjellë edhe rritje edhe të numrit të të papunëve.
“Në vitin 2020, ushtruan aktivitetin e tyre 102.564 ndërmarrje aktive, duke u ulur me 1,5 %, krahasuar me vitin 2019, ndërsa numri gjithsej i të punësuarve u ul me 5,2 %”, thuhet në raport.
Si pasojë e mbylljes së subjekteve dhe krizës së pandemisë ka pasur edhe rënie të xhiros vjetore për bizneset.
“Gjatë vitit të kaluar, ndërmarrjet në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.147 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rënie me 5,1 %, krahasuar me vitin 2019”, thuhet në raport.
Ndërkohë ashtu siç edhe pritej goditjen më të madhe nga pandemia e kanë marrë sektorët e turizmit dhe tregtisë. Në vitin e kaluar janë mbyllur në sektorin e akomodimit dhe të restoranteve 534 ndërmarrje.
NUMRI I NDËRMARRJEVE
Viti 2019 104,090 ndërmarrje
Viti 2020 102,564 ndërmarrje
Diferenca -1,526 ndërmarrje