Pandemia e COVID-19 ka sjellë mënyra të reja të veprimit të grupeve kriminale me qëllim përfitimin e parave. Për shkak të COVID-19, shumë vende kanë vendosur si detyrim për të hyrë në territorin e tyre paraqitjen e një testi negativ të COVID-19 nga udhëtarët dhe këtu duket se janë fokusuar grupet kriminale së fundmi duke ngritur edhe shqetësimin e Europol. Grupe kriminale kanë nisur nga falsifikimi i testeve COVID-19 duke i nxjerrë përgjigje negative kundrejt një shume të caktuar në mënyrë që personat të lejohen të kalojnë kufirin nga një vend në tjetrin.
Gazetari Arsen Rusta raporton se përmes një kërkesë, Europol u kërkon vendeve anëtare, mes tyre edhe Shqipërisë, që të hetojnë këto grupe kriminale që po tentojnë të falsifikojnë testin e COVID-19 duke e bërë atë negativ nëse personi rezulton pozitiv, në mënyrë që të mund të lëvizë lirshëm nga një vend në tjetrit. Sipas njoftimit të siguruar nga ReportTv, Europol thotë “Qëllimi i këtij njoftimi është të rrisë ndërgjegjësimin e mëtejshëm të prodhimit dhe shitjeve të paligjshme të certifikatat false të testeve negative COVID-19. Shtetet Anëtare inkurajohen të ndajnë çdo informacion të rëndësishëm në lidhje me aktivitetet kriminale në lidhje me testin fals të COVID-19 me Europol"
Ky falsifikim sigurisht bëhet përmes një shumë parash që në Angli apo Francë sipas Europol varion nga 150 deri në 300 euro. Pak ditë më parë në Tiranë u arrestuan 5 persona, 4 prej të cilëve pronarë të agjencive turistike të cilët kishin vënë në zbatim një skemë mashtrimi, duke përfituar edhe nga situata e COVID, për t'u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani. Kundrejt shumës 600 euro për person, të arrestuarit në Tiranë bënin falsifikimin e testit COVID-19 dhe kontratave të punës që ata kishin.
Gjithashtu raste të tilla janë shfaqur edhe në Angli e Francë ku janë arrestuar disa persona, pasi janë kapur duke shitur teste negativ për udhëtarët që të mund të kalonin kufirin.
Rasti i fundit i zbuluar i certifikatave të falsifikuara të provës u raportua nga Aeroporti Luton në Mbretërinë e Bashkuar kur një burrë u arrestua duke u përpjekur të shiste certifikata false të testit COVID-19.
Arrestime të ngjashme ndodhën edhe në Aeroportin Charles de Gaulle në Paris. Autorët duke falsifikuar emrin e një laboratori të licencuar për dhënien e testeve COVID i ndryshonin rezultatet në mënyrë që personat të kalonin kufirin.