Një tjetër humbje e madhe nga COVID në Shqipëri. Mësohet se është ndarë nga jeta pasi ishte infektuar nga koronavirusi Kozeta Noti, pedagoge e italishtes, përkthyese, njëherazi përfaqësuse e shoqërise civile.
Në lidhje me këtë humbje ka reaguar përmes një mesazhi emocionues në Facebook, ka reaguar edhe kolegia e znj. Noti, profesoresha e njohur Klodeta Dibra, pedagoge në Departamentin e Gjuhës italiane, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës.
"Shumë u lutëm për ty, por përbindëshi të mundi, o e mira Kozetë! Lajmi i ndarjes nga jeta më ka mpirë trurin dhe shpirtin! Jetën e jetove bukur, me buzëqeshjen që na e dhurove pa hesap të gjithëve!
E tillë do mbetesh në kuvendimet e në zemrat tona. Familja humbi njeriun e shtrenjtë! Unë humba një shoqe, mike e kolege të mrekullueshme! Universiteti i Tiranës humbi një pedagoge brilante!
Shoqëria humbi një njeri me vlera të rralla! Të qoftë dheu i lehtë", shkruan Dibra.
Znj. Noti është profesoresha e dytë e Universitetit të Tiranës që humb jetën nga COVID-19. Për ndarjen e saj nga jeta, ngushëllimet për profesoreshën Kozeta Noti ka shprehur edhe Universiteti i Tiranes duke e cilësuar një person me shpirt të madh, që energjinë dhe pozitivitetin që përcillte tek studentët dhe kolegët e saj në UT.
"Me trishtim të thellë njoftojmë se një tjetër anëtar i komunitetit të personelit akademik të UT-së, Dr. Kozeta Noti, është ndarë nga jeta ditën e sotme. Për më shumë se 20 vite, ajo ishte pjesë e Universitetit të Tiranës duke treguar profesionalizëm, përgjegjësi dhe angazhim maksimal në gjithë veprimtarinë e saj akademike. Profesoreshë Kozeta njihej nga të gjithë si personi me shpirtin e madh, energjinë dhe pozitivitetin që përcillte tek studentët dhe kolegët e saj në UT, njeri i dashur dhe e qeshur, optimiste, një kolege dhe bashkëpunëtore e shkëlqyer. Prof. Kozeta u largua fizikisht nga kjo jetë, por kontributi që ajo la pas do të jetë gjithmonë pjesë e trashëgimisë së Universitetit të Tiranës. Faleminderit për gjithçka i dhe universitetit tonë zysha. U prehsh në paqe!", shkruan Universiteti i Tiranës.
Një javë më parë humbi betejën me koronavirusin pedagogia e ekonomikut Irena Bogdani.
Ditën e sotme u mësua edhe një humbje tjetër nga radhët e mjekëve për shkak të COVID.Është ndarë nga jeta mjeku 48-vjeçar Bledi Nini.
Lajmi kryesor:
Koronavirusi në Shqipëri/ 644 raste të reja dhe 8 viktima në 24 orët e fundit! Ndërrojnë jetë mjeku i QSUT-së dhe pedagogia e Universitetit të Tiranës
K.T.//ReportTv.al