Vendet e Evropës Veriore janë prekur pak nga koronavirusi, krahasuar me ato të jugut, edhe falë izolimit relativ të tyre gjeografik dhe imponimit të kufizimeve të forta, që nga fillimi i pandemisë. Kjo është arsyeja pse ata tani po i kushtojnë vëmendje të madhe, në lehtësimin e kufizimeve, në mënyrë që të ruajnë këtë prirje.
Të gjitha vendet nordike? Jo, sepse Suedia ‘ka mbjellë’ mosmarrëveshje midis fqinjëve të saj, me strategjinë e saj "anti-bllokim", e cila është bazuar në përgjegjësi individuale, duke e bërë atë një nga vendet me vdekjet më të mëdha për frymë në botë, veçanërisht tani që epidemia është ngadalë duke u dobësuar, në një pjesë të madhe të planetit.
Më 31 maj, Suedia ishte shumë përpara, jo vetëm krahasuar me Danimarkën dhe Gjermaninë, për sa i përket vdekjeve për milion banorë, por me vendet shumë të prekura nga Covid-19, si Italia dhe Spanja.
Shkalla e vdekjeve nga Covid-19 në Suedi (4,403 më 1 qershor 2020) është në të vërtetë mbi shtatë herë më e lartë se në Danimarkë (576) dhe tetëmbëdhjetë herë më e lartë se në Norvegji (236). Suedia është gjithashtu vendi i 25-të në botë për nga numri i infeksioneve, me 37.814 raste pozitive.
‘Përçarja’ e hapur midis Suedisë dhe fqinjëve të saj tani është materializuar, pasi Norvegjia dhe Danimarka vendosën të hapnin kufijtë e tyre më 15 qershor, duke lënë të mbyllura për Stokholmin, si dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
"Ne nuk mund të hapim gjithçka brenda natës, sepse do të rrezikonim gjithçka që kemi arritur," shpjegoi kryeministri norvegjez Erna Solberg
Dhe Finlanda gjithashtu ka frikë nga rikthimi i infeksioneve. Ministrja e Brendshme finlandeze Maria Ohisalo paralajmëroi se një rihapje e kufijve nuk do të ndodhë së shpejti: "Norvegjia, Danimarka dhe Islanda kanë arritur të stabilizojnë pandeminë. Në Suedi, megjithatë, situata mbetet shqetësuese," tha ajo.
Zemrat nordike të thyera
Suedia është përpjekur me çdo mjet diplomatik që të mos përjashtohet.
Kryeministri danez pranoi se "Danimarka dhe Suedia përjetojnë situata të ndryshme në luftën kundër koronavirusit dhe kjo ka një ndikim në atë që ne mund të vendosim në lidhje me kufijtë".
Një vendim politik sipas Suedisë
Ministria e Jashtme Suedeze e kishte bërë të ditur, ditë para vendimit, se përjashtimi i Suedisë nga marrëveshja për lëvizjen e lirë të turistëve do të ishte një vendim "politik", jo i bazuar në kritere shëndetësore. Ann Linde ka mbrojtur edhe një herë strategjinë suedeze, në këto ditë kur vendi i saj shfaqet si një nga të parët në listën e të infektuarve dhe të vdekurve për milion banorë.