Covid/ Zyrtari amerikan kërkon ndjesë për ekzagjerimin e vlerave të plazmës konvaleshente

26 Gusht 2020, 14:42| Përditesimi: 26 Gusht 2020, 14:44

  • Share

Duke iu përgjigjur kritikave nga ekspertët mjekësorë, Stephen Hahn, kreu i Administratës së Ushqimit dhe Barnave në SHBA kërkoi ndjesë pasi kishte mbivlerësuar vlerat e plazmës konvaleshente nga pacientë të shëruar nga COVID-19, për të kuruar dhe shpëtuar jetët e pacientëve të tjerë.

Shkencëtarët dhe ekspertët mjekësorë iu kundërvunë pretendimeve lidhur me trajtimin në fjalë që u njoftua të dielën nga Presidentit Donald Trump teksa tha se Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve kishte vendosur të lëshonte urgjent autorizim për plazmën konvaleshente, të marrë nga pacientë e shëruar nga koronavirusi dhe të pasur me antitrupa.

Presidenti amerikan e vlerësoi vendimin si një arritje historike edhe pse përfitimet e trajtimit ende nuk janë vërtetuar. Njoftimi një ditë para Kuvendit Kombëtar Republikan ngriti dyshime se ishte i motivuar politikisht për të shuar kritikat mbi trajtimin që Trump i ka bërë pandemisë.

Hahn i pati bërë jehonë deklarimit të Trump duke thënë se nga 100 të infektuar, më shumë se 35 prej tyre do të shëroheshin nga koronavirusi nëse trajtoheshin me plazmë.

Ndjesa e Hahn vjen në një pikë kritike për agjencinë që ai drejton, e cila nën trysni të fortë nga Shtëpia e Bardhë, është përgjegjëse për të vendosur nëse vaksinat e ardhshme janë të sigurta dhe kanë efekt në parandalimin e COVID-19.

FDA e mori vendimin bazuar në një analizë të Klinikës së famshme Mayo, të bazuar në të dhëna të mbledhura nga spitale në të gjithë SHBA-në, të cilët po e përdornin plazmën në forma nga më të ndryshmet dhe pa bërë krahasime gjatë studimit me një grup pacientësh që nuk kishin marrë trajtim me plazmë, për të nxjerrë në këtë mënyrë përfundime për efikasitetin e trajtimit me plazmë.

Pacientët që u trajtuan me plazmë me nivele të larta me antitrupa, rezultuan nga ana shëndetësore më mirë se sa ata që morën plazmë me nivele më të ulëta antitrupash. Po ashtu, ata që u mjekuan menjëherë pas diagnostikimit kishin rezultate më të mira se ata që morën trajtim më të vonuar.

Hahn dhe zyrtarë të tjerë të administratës Trump e interpretuan këtë dallim si një provë absolute të vlerave të plazmës konvaleshente.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?