COVID-19/ 55 % e kredisë sovrane 2 nuk u përdor! Norma 5% e interesit 'trembi' bizneset

11 Tetor 2020, 14:48| Përditesimi: 11 Tetor 2020, 17:49

  • Share

TIRANË- Bizneset dhe individët përfituan 206 mln euro nga paketat e qeverisë! Mbi 55% e fondit të garancive sovrane nuk u përdor. Më shumë se gjysma e fondit për garancinë e dytë sovrane nuk është shfrytëzuar për shkak të interesit të lartë. Garancia e dytë u miratua më 13 maj, nga këshilli i ministrave në vlerën e 15 miliardë lekëve, por si pasojë e interesit 5% dhe kushteve që duhet të plotësoheshin ajo nuk u përdor shumë nga sipërmarrja, edhe pse ishte për investime.

Ndërsa garancia e parë sovrane e miratuar në 6 prill në vlerën e 11 miliardë lekëve me fokus tek mbajtja në punë e punonjësve, gjeti më shumë përdorim. Me këtë paketë që erdhi një muaj pas shfaqjes së rastit të parë me COVID-19 në vend iu dha mundësia subjekteve që të merrnin kredi pa normë interesi deri në 3 paga për punonjësit, ku shteti dilte garant 100%.

Por sa u përdorën këto dy mbështetje nga subjektet?

Nga 26 miliardë lekë që ishte fondi i vënë në dispozicion për garancitë sovranë janë përfituar nga bizneset vetëm 12.7 miliardë lekë, dhe pjesa tjetër prej 13.3 miliardë lekëve mbeti e pashfrytëzuar, ose konkretisht nuk u përdor 55% e fondit.

Paketa e parë për individin u miratua me 27 mars pas rishikimit të parë të buxhetit ku përcaktuan 12 miliardë lekë për përballimin e pasojave emergjente. Nga ky rishikimin 6.5 miliardë lekë u vendos që do të përdoreshin për 3 pagat e luftës nga 26 mijë lekë për ata që dolën të papunë si pasojë e mbylljes së bizneseve me vendim të qeverisë, ku u përfshin kryesisht të punësuarit e biznesit të vogël.

Mjaftoi një muaj pandemi që nevoja për financim të kërkojë një rishikim të dytë të buxhetit me 15 prill 2020. Këtë herë për të mbështetur punonjësit e ish-punonjësit shkuan 7 miliardë lekë, për dhënien e bonusit prej 40 mijë lekësh. 

Por sa u shfrytëzuan paketat për pagat?

Konkretisht nga 13.5 miliardë lekë që ishin fondet për mbështetjen  me paga për të punësuarit dhe të papunët, janë përfituar 12.7 miliardë lekë deri në 3 shtator kur është edhe përditësimi i fundit i të dhënave nga Ministria e Financave. Paketat për paga janë shfrytëzuar mbi 95%. Paketat financiare të miratuara nga qeveria për të përballuar pasojat e pandemisë COVID-19, në vlerën e 39.5 miliardë lekëve janë shfrytëzuar në nivelin e 65%. Nga përllogaritjet e të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave kuptohet që nga biznesi dhe individët janë përfituar 25.4 miliardë lekë.

Përdorimi i paketave për pagat
Paketa 1 për 3 paga nga 26 mijë lekë ishte 6.5 mld lekë u përdorën 5,8 mld lekë.
Paketa 2 për bonusin prej 40 mijë lekë ishte 7 mld lekë, u shfrytëzuan 6,8 mld lekë.
Totali i dy paketave për pagat 12,742,627,298
U kursyen 757.3 milionë lekë

Garancitë sovrane
Garancia sovrane 1 në vlerën e 11 mld lekë u përdor në masën 6,4 mld lekë.
Garancia sovrane 2 në vlerën e 15 mld lekë u përdor në masën 6,2 mld lekë.
Në total janë shfrytëzuar 12.707.348.646 lekë nga 26 mld lekë
U kursyen 13.292.651.354 lekë

Shfrytëzimi i paketave
Paketat e qeverisë në total kapnin vlerën e 39.5 mld lekëve
Në total janë përdorur nga paketat e qeverisë 25,4 mld lekë.
Nuk janë përdorur në total 14.1 miliardë lekë

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?