SHBA nuk planifikojnë të heqin kufizimet për udhëtimet ndërkombëtare, në veçanti nga MB, pjesa më e madhe e BE dhe Brazili, pavarësisht deklaratave të Trump se mund t’i heqë ato. Deklarata është dhënë nga zëdhënësja e Presidentit të zgjedhur të SHBA Joe Biden.
Shtëpia e Bardhë vendosi të hënën që kufizimet do të merrnin fund në 26 janar - gjashtë ditë pasi Z. Biden të marrë detyrën. Por zëdhënësja e Biden, Jen Psaki, tha se tani nuk ishte koha për të lehtësuar masat e udhëtimit.
SHBA vendosen kufizimet për Evropën marsin e kaluar dhe për qytetarët brazilianë në maj.
"Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, administrata nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime në 26 Janar," shkroi Znj. Psaki, menjëherë pas lëshimit të dekretit të Presidentit Trump.
"Në fakt, ne kemi në plan të forcojmë masat e shëndetit publik rreth udhëtimeve ndërkombëtare në mënyrë që të vëmë nën kontroll përhapjen e Covid-19."
Ajo theksoi se me "variante më ngjitëse që shfaqen në të gjithë botën, kjo nuk është koha për të hequr kufizimet në udhëtime”.
Presidenti Trump mbrëmjen e djeshme nënshkroi një urdhër për heqjen e ndalimit të hyrjes së qytetarëve nga Mbretëria e Bashkuar, Irlandë, zonën Shengen dhe Brazilin nga 26 Janari. Ndërkohë që theksohej se ndalimet e udhëtimit për Kinën dhe Iranin qëndronin në fuqi. Pas një urdhri javën e kaluar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), shumica e udhëtarëve ndërkombëtare që mbërrijnë në SHBA nga 26 Janari do të duhet të sigurojnë një test negativ Covid-19 ose provë që kanë kaluar sëmundjen më parë që të lejohen të hynë.