Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA ka filluar një studim klinik për të parë shkallën e infektimit prej koronavirusit te fëmijët dhe ka filluar gjithashtu regjistrimin e pjesëmarrësve në këtë studim.
Me emrin Heros, apo ndryshe “Epidemiologjia njerëzore dhe reagimi ndaj SARS-CoV-2” studimi do të vlerësojë sa përqind e fëmijëve të infektuar zhvillojnë simptoma të sëmundjes si dhe shkallën e asimptomatikëve ndër ta.
I financuar tërësisht nga shteti amerikan, studimi do të hulumtojë shkallën e infektimit te fëmijët me probleme alergjie.
Epidemiologu i Shtëpisë së Bardhë, Dr. Anthony Fauci tha se “Një tipar interesant i kësaj pandemie është se shumë pak fëmijë janë sëmurë me COVID-19 në krahasim me të rriturit” dhe se “studimi do të përcaktojë nëse arsyet që fëmijët preken më pak janë se ata shfaqen më rëzistentë apo sepse nuk zhvillojnë simptoma”.
Pjesë e studimit deri tani mendohet se do të jenë rreth 2000 fëmijë dhe familjet e tyre në 11 shtete.
Studiuesit besojnë se të dhënat e mbledhura nga ky studimi do të ndihmojnë në plotësimin e këtij boshllëku njohurish si dhe do të ofrojnë më shumë informacion që do të shërbejë në ndërhyrjet eventuale në sistemin e shëndetin publik.