Foto nga një spital në Gjermani

COVID-19/ Gjermania vendi i parë në BE që blen ilaçin e antitrupave

25 Janar 2021, 10:02| Përditesimi: 25 Janar 2021, 10:08

  • Share

Ka disa vaksina kundër Coronës, por shumë pak ilaçe efektive për të sëmurët. Ministri gjerman i Shëndetësisë vendosi tani për blerjen e 200.000 dozave të një ilaçi që duket se ndihmoi edhe ish-presidentin amerikan Trump.

Qeveria gjermane ka blerë për Gjermaninë një ilaç të ri kundër Coronës të bazuar mbi antitrupat. "Nga java e ardhshme do të përdoren antitrupat monoklonale në Gjermani si vendi i parë në BE. Në fillim në klinikat universitare", bëri të ditur ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn për gazetën gjermane "Bild am Sonntag”. "Federata ka blerë 200.000 doza për 400 milionë euro." Që do të thotë, se për një dozë çmimi është 2000 euro.

Një ecuri më e butë e sëmundjes tek pacientët e rrezikuar

Më këtë ilaç antitrupash, sipas raportimeve është trajtuar edhe presidenti amerikan, Donald Trump pas infektimit me Corona. "Ato veprojnë si një vaksinim pasiv. Dhënia e antitrupave të tillë mund të ndihmojë grupet e rrezikuara të pacientëve në fazën e hershme të sëmundjes duke penguar  ecurinë e rëndë të saj”, është shprehur politikani gjerman i CDU-së, Spahn.

Në fillim të tetorit Donald Trump është trajtuar me një koktejl antitrupash REGN-COV2 të firmës amerikane Regeneron.

Substanca e REGN-COV2 është një kombinim special i dy antitrupave, që bllokojnë të ashtuquajturën proteinë Spike të virusit Corona duke deformuar kështu strukturën e saj. Në këtë mënyrë pengohet që virusi Corona ta atakojë qelizat e njeriut në trup dhe të shumohet. Kombinimi i dy antitrupave, sipas koncernit amerikan Regeneron, pengon, që virusi SARS-COV2 të pësojë mutacione.

Në bisedë me gazetën gjermane, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn u shpreh edhe për më shumë kujdes në drejtim të fajësimeve në përballjen me pandeminë. "Të flasësh për gabime apo humbje shansesh është e rëndësishme. Po pa e kaluar në luftë të pamëshirshme. Pa pasur si qëllim shkarkimin e fajit tek të tjerët”, tha Spahn./ DW

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?