Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi në seancën dëgjimore të Kuvendit të Shqipërisë me Këshillin e Europës ka folur në lidhje me ndikimin që COVID-19 ka pasur në pozitën e grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare.
Ai ka shprehur se pikërisht ky hendek dhe kjo pabarazi mes dy gjinive nuk do të zgjidhet asnjëherë nëse trajtohet si një çështje e cila i përket vetëm grave dhe vajzave shqiptare. Ajo duhet të trajtohet si një sfidë e përbashkët madje edhe i burrave shqiptar.
Ai vijoj duke thënë se janë bërë dhe do të bëhen përpjekje për të për të nxitur pjesëmarrjen shoqërore, ekonomike e politike të grave e vajzave edhe përse ato shpesh kërcënohen nga rreziqe të ndryshme si COVID-19.
“Është detyra jonë të kontribuojmë për të shmangur apo pakësuar këtë ndikim” shtoi ai.
I nderuar President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Daems,
Të nderuar kolegë dhe kolegë deputetë,
Të nderuar përfaqësuese të shoqërisë civile,
Seanca Dëgjimore “Ndikimi i Pandemisë Covid 19 në Çështjet e Grave”, e cila organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, trajton një çështje të rëndësishme të shoqërisë shqiptare.
E theksoj që në fillim, të shoqerisë, jo vetëm dhe thjesht të grave e vajzave të Shqipërisë.
Sepse unë i jam përmbajtur dhe i përmbahem pikëpamjes se çështjet e barazisë gjinore dhe të grave e vajzave nuk mund të zgjidhen asnjëherë nëse trajtohen si çështje vetëm të tyre dhe jo çështje të shoqërisë. Madje, do të thoshja edhe të burrave shqiptarë.
Pabarazia gjinore në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera të planetit, nuk buron nga aftësitë më të pakta dhe pamundësitë e grave e vajzave për të kontribuar si edhe burrat.
Buron nga mentalitetit autoritarist, patriarkal dhe mashkullor i shoqërive të sotme.
Për fat të keq, shoqëria shqiptare, sidomos deri nga mesi i shekullit të kaluar, ka qenë një shoqëri tradicionale, në të cilën mbizotëronin normat shoqërore që u jepnin grave dhe vajzave një pozitë periferike jashtë mureve të shtëpisë, duke i mbingarkuar ato me veprimtaritë brenda tyre.
Prandaj përpjekjet që kemi bërë e po bëjmë si edhe rezultatet që kemi arritur për të nxitur pjesëmarrjen shoqërore, ekonomike e politike të grave e vajzave, janë domethënëse sepse shënojnë një zhvillim cilësor në kulturën dhe shoqërinë shqiptare.
Por këto arritje nuk janë gjithmonë drejtvizore. Shpesh ato kërcënohen nga rreziqe, të cilat vijnë si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë shoqërisë.
Një rrezik të tillë, të jashtëm, përfaqëson edhe pandemia e Covid-19, e cila, përveç pasojave shëndetësore dhe ekonomike, ndikoi në pozitën e grave e vajzave në shoqëri e familje.
Pandemia po ndikon në mënyrë kapilare, horizontale e vertikale, në të gjithë shoqërinë. Ajo imponon ndryshime, korrigjime, ridimensionime e mohime, të domosdoshme për të garantuar mbijetesën e shoqërisë ndaj këtij rreziku dhe rreziqeve anësorë që e shoqërojnë.
Është detyra jonë të kontribojmë për të shmangur apo pakësuar këtë ndikim, në mënyrë që gratë dha vajzat e Shqipërisë, gratë dhe vajzat e Europës, gratë dhe vajzat kudo në planet, të gëzojnë kënaqësitë e jetës normale dhe të kontribojnë në mirëqenien e pjesëmarrjen e tyre në jetën shoqërore, në tregje dhe jetën ekonomike, në institucionet dhe vendim-marrjen politike.
Kuvendi i Shqipërisë, në dhjetor të vitit 2017, ka miratuar Rezolutën “Për dënimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe rritjen e efektshmërisë së mekanizmave ligjore për parandalimin e tij”.
Në zbatim të kësaj Rezolute, ne po nxisim e inkurajojmë të gjitha institucionet si edhe shoqërinë civile të bashkëpunojnë për të përmirësuar cilësisht kushtet e punës, të jetës dhe pjesëmarrjes së grave e vajzave të Shqipërisë, dhe për të zgjeruar aksesin për kontributin e tyre si një faktor emancipues i shoqërisë, është shprehur Ruçi gjatë seancës dëgjimore.