Covid, 534 viktima në Itali. Shtetet e Bashkuara vendi me numrin më të madh të vdekjeve. Britania nis testet e vaksinës të enjten (VIDEO)

21 Prill 2020, 08:39| Përditesimi: 21 Prill 2020, 22:20

  • Share

Numri i vdekjeve të lidhura me Covid-19 në të gjithë botën ka tejkaluar shifrën e 170,000.

Sipas azhornimit të fundit nga Universiteti Johns Hopkins, ka 170.324 vdekje, nga të cilat 42.335 vetëm në Shtetet e Bashkuara, të cilat konfirmohen si vendi me numrin më të madh të vdekjeve, e ndjekur nga Spanja dhe Italia. Rastet e infektimit në nivel global shkojnë në rreth dy milion e gjysmë.

SHBA tejkalon 42,000 viktima

Në 24 orët e fundit ka patur 1433 viktima të Covid-19 për një total vdekjesh prej mbi 42 mijë kurse numri u përgjithshëm i rasteve të testuar pozitiv është më shumë se 787 mijë.
Presidenti Donald Trump ka njoftuar një dekret me të cilin ai synon të pezullojë emigracionin në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, pak shtete jugore kanë filluar të rihapin disa aktivitete jo thelbësore, madje edhe nën presionin e protestave nga shumë qytetarë dhe pronarë të bizneseve të vogla. Karolina e Jugut ka lejuar rihapjen dyqaneve me pakicë dhe tregjeve për sa kohë që respektohen udhëzimet për distancimin shoqëror.

Në Georgia drita jeshile u dha për rihapjen e palestrave, berberet dhe floktarëve, salloneve të bukurisë, qendrave të masazhit dhe atyre për tatuazhet. Dhe nga e hëna edhe restorante dhe kinema.

Në Tenesi, urdhri për të qëndruar në shtëpi do të revokohet duke filluar nga 30 Prill, duke lejuar një kthim në pothuajse normal. Në vend të kësaj, guvernatori i shtetit të  Indianës zgjati kufizimet nga koronavirusi deri më 1 maj.

Ora 22:13
Britania e Madhe jep lajmin e mirë, fillon të enjten testimi i vaksinës kundër COVID-19

1587500024_britani.JPG

Testmet e vaksinës së koronavirusit do të fillojnë tek njerëzit të enjten në Oksford të Britanisë së Madhe.

Sipas Sekretarit të Shëndetësisë, Matt Hancock i është dhënë 22 milion £ projektit "Imperial" për të mbështetur fazën e vazhdueshme të dy provave dhe sigurimin e ekipit të  Oksfordit për të përshpejtuar testimet.

Sipas The Guardian, gjatë ditës së sotme në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndërruar jetë 823 persona, duke e cuar në 17,337 numrin e përgjithshëm.

Vdekjet e koronavirusit në Angli dhe Uells arritën kulmin më 8 prill, pretendojnë ekspertët.

Shifrat më të fundit tregojnë se 20% e vdekjeve prej koronavirusit ndodhin jashtë spitalit.

Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock ka mohuar që ministrat e Britanisë së Madhe morën një vendim politik për të mos u përfshirë në një skemë në BE, duke kundërshtuar një deklaratë nga sekretari i përhershëm i Zyrës së Jashtme Sir Simon McDonald, gjatë ditës së sotme. 

Ora 18:09
Covid-19, në Itali 534 viktima nga koronavirusi dhe 2723 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar  534 viktima nga koronavirusi, për një total prej 24.648 vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i të shëruarve sot është rritur në 2.723. Autoritetet raportuan gjithashtu edhe për 2729 raste të reja pozitiv nga Covid-19 për një total prej 183.957.

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 102 pacientë më pak se dje

Në Itali vazhdon ngadalësimi i rritjes së numrit të të infektuarve të rinj dhe rasteve në gjendje të rëndë në kujdesin intensiv. Ka më tepër të shëruar dhe më pak vdekje kurse raporti midis testeve të tamponit të kryera dhe rasteve pozitive të konstatuara është 1 pacient për çdo 18 teste të kryera.

Për herë të dytë që nga fillimi i epidemisë, bilanci i koronavirusit në Itali ka shenjën minus.
Frenimi ka qenë i qëndrueshëm për disa ditë rresht dhe vlerat negative të ditëve të fundit janë për ekspertët një tregues i rëndësishëm për vendimet që do të merren nga qeveria.

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka njoftuar se rihapja e aktiviteteve prodhuese do të nis nga data 4 maj dhe se brenda kësaj jave do të komunikojë detajet e planit për fazën 2, që sipas tij “është një program shumë kompleks”

Ora 17:56
Covid, 823 viktima në Britaninë e Madhe në 24 orët e fundit

Rritje e re e numrit të vdekjeve nga koronavirusit të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar në 24 orët e fundit, pas rënies së konsiderueshme në dy ditëve të fundit.

Ministria e Shëndetësisë raporton për 823 viktima vetëm në spitale, pothuajse dyfish krahasuar me ditën e djeshme dhe vetëm pesëdhjetë më pak se të shtunën dhe 160 më pak se rekordi ditor absolut britanik dhe evropian i 10 Prillit.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve të regjistruara u rrit në 17,337, ndërsa infeksionet e diagnostikuara janë 130,000.

Ora 17:43
Covid/Itali, Kryeministri Conte: Maska dhe distanca fizike derisa të gjendet vaksina. Injektim 50 miliardë € në ekonomi

Kryeministri italian Giuseppe Conte, gjatë fjalës së tij në Senat the se forcimi i masave parandaluese është i vetmi mjet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Për fazën 2, Kryeministri Conte përsëriti se “distanca sociale duhet të vazhdojë të respektohet dhe promovohet përdorimi i gjerë i maskave dhe pajisjeve mbrojtëse personale derisa të jetë në dispozicion terapia ose vaksina".

“Për sa kohë që këto të dyja ende nuk janë gjetur, do të duhet të përdorim maska”.

Në informacionin e tij drejtuar Senatit, Kryeministri italian adresoi çështjen e rihapjes dhe përfundimin e izolimit në shtëpi për shtetasit italianë.

"Ne duhet të vazhdojmë me relaksim të masave - tha ai - dhe vetëm në këtë mënyrë mund të ruajmë strukturën prodhuese.

Conte tha se “Motori i vendit duhet të fillojë përsëri punën, por kemi nevojë për një plan të artikuluar qartë" dhe se “padurimi dhe përshpejtimi në këtë fazë mund të rrezikojnë sakrificat e bëra deri më tani"

Për kryeministrin Conte, mbyllja e vendeve të punës dhe izolimi i detyruar kanë krijuar një situatë krize të paparë. Ekziston rreziku i krijimit të varfërisë së re". Për këtë arsye, "ndërhyrjet ekonomike duhet të jenë më incizive".

Prandaj qeveria po përgatitet për ndihmë ekonomike për familjet dhe bizneset. Një dekret ligj i ri këtë herë do të injektojë një shumë prej 50 miliardë eurosh që do të sigurohet përmes “devijimit buxhetor”.

Sipas kryeministrit italian, "Bashkimi Europian dhe Eurozona nuk mund t’i lejojnë vetes të përsërisin gabimet e bëra në krizën financiare të vitit 2008”.

Ai tha se  “dështimi për një përgjigje të përshtatshme dhe të guximshme ndaj krizës nga koronavirusi do të shkaktonte dëme serioze në vetë projektin europian. Europa ka nevojë për të ndërtuar një fond të rimëkëmbjes ekonomike për të trajtuar krizën".

Ora 15:46
Covid/Faza 2, si do përshtaten dhe cilat mund të jenë rregullat e reja për rihapjen e aktiviteteve (FOTO)

Sipas autoriteteve të shëndetit në Itali dhe ekipit tekniko shkencor që përpilon strategji dhe rregulla, në "fazën 2" të emergjencës Covid-19, atë të rihapjes graduale, ata që kanë profesione dhe detyra në kontakt të drejtpërdrejtë me publikun do të duhet të mbrohen me mjete të posaçme, por edhe të riorganizojnë aktivitetet e tyre.

Këta janë kamerierë, asistentë, dyqane, punëtorë shëndetësorë dhe infermierë, parukierë etj etj, një univers shumë i larmishëm që shkon nga ushqimet e deri te veshjet.

Për ta, rregullat e reja për rihapjen, në disa raste tashmë të miratuara në javët e fundit, do të përbëhen nga mbrojtje individuale dhe të tjera rregulla dhe përshtatje, si psh është e mundshme një zgjatje e orëve të hapjes së dyqaneve, për të lejuar menaxhimin e flukseve dhe një rritje të shitjeve në internet dhe dërgesave në shtëpi.

Për restorantet dhe baret, kthimi në punë do të përfshijë një riorganizim të plotë të mënyrës së funksionimit.

Hapësirat do të duhet të ridizajnohen për të siguruar distancë adekuate midis tavolinave dhe njerëzve.

Parukierë dhe berberë, masazhatorë dhe terapistë

Këto janë profesionet me kontaktin më të madh fizik me klientin, gjë që i bën ata potencialisht më të rrezikuar

Ata do të kenë një riorganizim të përgjithshëm. Edhe për ta, do të jetë e nevojshme të rishikohet administrimi i hapësirave, sasia e klientëve në ditë, rezervimet, kushtet e higjienës, detyrimi për të mbajtur maska etj etj

   

Ora 15:16
Covid/Spanjë, rritje e vogël e numrit të vdekjeve në 24 orët e fundit

Sado pak por në Spanjë viktimat nga infeksioni i koronavirusit janë rritur.

Në 24 orët e fundit u regjistruan 430 vdekje, një rritje në krahasim me një ditë më parë, kur u regjistruan 399 viktima për një total prej 21282 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

Sipas ekspertëve, rritja e numrit të personave që janë shëruar dhe rritja e rasteve të reja nën 2 përqind janë ngushëlluese.

Sipas drejtorit të Zyrës së Koordinimit për Emergjencat Shëndetësore Fernando Simon "evolucioni i dy javëve të fundit vazhdon të ecë ashtu siç pritej".

Ndërsa kreu i qeverisë Pedro Sanchez ka njoftuar zgjatjen e regjimit të bllokadës deri më 26 prill dhe vetëm pas kësaj date masat parandaluese po adaptohen.

Nga java e ardhshme edhe fëmijët deri në moshën 12 vjeç mund të dalin për një shëtitje të shkurtër shoqëruar me një të rritur, por parqet dhe kopshtet do mbetet të mbyllura.

Sipas një vlerësimi, të paktën 8.3 milion të mitur spanjollë janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi që nga data 14 Mars.

Ora 15:08
Covid/Ursula Von Der Leyen për pushimet verore: Do gjejmë zgjidhje të mençura

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, ka ndërruar retorikë sa i takon pushimeve verore.

Teksa shumë njerëz po i presin me padurim po dhe në ankth nga pandemia e koronavirusit, sipas shefes së KE-së pushuesit europianë duhet të jenë optimistë se mund të bëjnë disa ditë pushime verore.

Von Der Leyen deklaroi për mediat portugeze se pushimet mund të bëhen realitet, por duhen gjetur disa zgjidhje të mënçura.

“Do mundohemi të gjejmë zgjidhje të mençura për këto pushime. Ndoshta do të jenë pak ndryshe, me më shumë masa higjiene apo distancimi social, por unë jam optimiste se do të gjejmë alternative”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se një javë më parë ajo iu tha miliona qytetarëve të botës që shpresonin për pushime në Europë, të mos bënin asnjë plan për këtë verë.

Autoritetet në Itali ndërkohë po punojnë nga këndvështrimi i akteve administrative dhe rregulloreve të nevojshme për të mundësuar që këtë verë plazhet të rihapen dhe sektori i turizmit të rifillojë punën.

Por këshëria për të shkuar në plazh është aq e madhe saqë një kompani në Modena, në Itali ka projektuar vendrelaksimet e njerëzve; kuti transparente me mure Plexiglas-i dhe profile alumini 4,5 metra dhe dy metra të larta. Në rastin e çadrave, ato mund të vendosen të paktën 3 m larg nga njëra tjetra kurse në restorante po mendohet që tavolinat të ndahen me xham apo dhe Plexiglas për të mënjanuar sa më shumë kontaktet mes njër tjetrit.

Ora 14:56
Covid/OBSH: Në rang global, vetëm 2-3% e të infektuarve nga koronavirusi kanë krijuar antitrupa

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm një pjesë e vogël e popullsisë globale, ndoshta 2% ose 3%, kanë krijuar der tani antitrupa për Covid-19.

“Të dhënat sugjerojnë që një përqindje relativisht e vogël e popullsisë mund të ketë krijuar antitrupa,” – tha Tedros. “Jo më shumë se 2% -3%.” – tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë për mediat në Gjenevë.

Dr Maria Van Kerkhove, një eksperte amerikane për sëmundjet infektive tha se : “Ne po shohim një përqindje më të ulët të njerëzve me antitrupa nga sa prisnim” .

Van Kerkhove megjithatë tha se ata duhet të shikohen me kujdes mënyrat se si po kryheshin studimet pasi, sipas raportimeve,  numri i atyre që kanë imunitet arrinin deri në 14% në Gjermani dhe Francë.

“Ne po punojmë me një sërë vendesh që po kryejnë këto studime serologjike,” shtoi Van Kerkhove, e cila javën e kaluar tha se edhe nëse testet tregonin se edhe një person kishte krijuar antitrupa, nuk vërtetonte që ishte imunë.

“Ka shumë vende që sugjerojnë përdorimin e testeve të shpejta serologjike diagnostikuese për të zbuluar ata që mund të jenë imunë,” tha ajo. “Tani për tani, ne nuk kemi asnjë provë që përdorimi i një testi serologjik mund të tregojë se një individ ka imunitet ose është i mbrojtur nga ri-infektimi.”

Ora 14:27
Covid-19, Austria hap shkollat, kishat dhe restorantet duke filluar nga 15 maji

Austria do t’i zbusë akoma më shumë masat e bllokimit për shkak të koronavirusit, pasi nga 15 maji do të lejohen që të hapen restorantet dhe kafenetë dhe shërbimet fetare të rifillojnë. Kështu ka njoftuar kancelari Sebastian Kurz në një konferencë për media gjatë ditës së sotme.

“Ne po shkojmë më shpejt sesa vendet e tjera drejt diçkaje që është normaliteti i ri”, ka thënë Kurz, duke shtuar se “bizneset e gastronomië” do të rihapen nga data 15 maj dhe do të lejohen të punojnë deri në orën 23:00.

Austria ka vepruar menjëherë në fazën e parë të shpërthimit të virusit duke mbyllur para më shumë se një muaji restorantet, kafenetë, teatrot, shitoret joesenciale dhe të gjitha vendet ku mund të kishte grumbullime të njerëzve. Në ndërkohë, që të gjithë qytetarët janë këshilluar të rrinë në shtëpitë e tyre dhe nëse është e mundur të punojnë po ashtu nga shtëpitë.

Por, ka qenë edhe ndër vendet e para që ka filluar t’i zbusë masat e bllokimit duke lejuar shitoret, qendrat dhe shitoret që kanë më pak se 400 metra katrorë të rihapen një javë më parë. Qendrat tregtare, shëtitoret më të mëdha dhe sallonet e bukurisë do të rihapen më 1 maj.

Dyqanet që janë rihapur duhet të kufizojnë numrin e konsumatorëve që lejojnë të futen brenda dhe duhet të kenë maska. Kurz ka thënë se mbajtja e maskës në fytyrë do të jetë pjesë e “normalitetit të ri”.

Siç është bërë e ditur edhe më herët, shkollat e mesme do të rihapen në fillim të majit për nxënësit që janë në klasën e fundit, derisa Kurz ka thënë se shkollat për nxënësit në klasët e tjera do të nisin më 15 maj.

Ora 14:04
Covid/Studimi i Universitetit të Zhejiang: Koronavirusi i Europës më vdekjeprurës se ai në Kinë

Sipas studiuesve nga universiteti Zhejiang në Kinë, Koronavirusi ka ndryshuar të paktën 30 herë sjelljen dhe stukturën e tij deri më tani.

Sipas Daily Mail, shkencëtarët besojnë se SARS-CoV-2 po ndryshon vazhdimisht për të kapërcyer rezistencën e sistemit imunitar në popullata të ndryshme.

Ekipi i studiueve, i drejtuar nga profesor Li Lanjuan ka testuar efektivitetin e virusit dhe si mund ai të infektonte dhe të vriste qelizat njerëzore në laborator.

Ngarkesa virale pra sasia e virusit u vlerësua nga ekspertet në të gjitha qelizat pas një, dy, katër, tetë orësh, ditën tjetër dhe 48 orë më vonë. Ekspertët gjithashtu shikuan efektet nëse virusi në mënyrë strukturore ndryshoi qelizën gjatë infeksionit, deri në tre ditë pas eksperimentit.

Sipas tyre, rezultatet treguan se mutacionet e vëzhguara mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në ngarkesën virale. Ky konstatim tregon se mutacionet mund të ndikojnë dukshëm në vet patogjenitetin dhe efektivitetin e këtij të fundit për të infektuar si dhe shkallën e përhapjes.

Ekipi kinez gjeti disa nga mutacionet më vdekjeprurëse në Zhejiang, ku dhe ndodhet universiteti. Këto mutacione ishin parë edhe në disa vende europiane siç janë Italia dhe Spanja, përpara se të përhapej në Nju Jork.

Por shkencëtarët pranuan se “diversiteti i plotë mutacional i virusit në Wuhan në ditët e para është ende i panjohur”.

Studiuesit paralajmëruan se vetëm pse mutacionet ishin më të butë, nuk do të thotë se ekziston një rrezik i ulët i vdekshmërisë.

Edhe shkencëtarët e universitetit të Kembrixhit zbuluan se ekzistojnë tre lloje të koronavirusit që kanë prekur shumicën e rasteve në botë.

Ora 13:46
Covid/Studimet: Niveli i lartë i ndotjes mund të shtojë rrezikun e vdekjes nga pandemia e koronavirusit

Sipas studiuesve të Universitetit të Harvardit në SHBA, vdekshmëria nga koronavirusi rritet me 15 për qind në zonat e ndotura nga smogu prej emetimeve të industries dhe trafikut të rënduar.

Një të tjera studime të kryera nga universiteti i Sienës në Itali dhe ai i Arhus në Danimarkë. pretendohet se në rajonin e Lombardisë vdekshmëria nga Covdi 19 është 12 përqind, ndërsa në pjesën tjetër të Italisë vetëm 4 për qind.

Për këtë, sipas shkencëtarëve ka kontribuar niveli më i lartë i ndotjes në veri të Italisë, megjithatë ata shtojnë se duhet marrë në konsideratë edhe mosha e popullisë dhe faktorë të tjerë risku.

Ora 12:20
Covid-19, të infektuar nga koronavirusi, dy mjekëve kinezë u ndryshoi ngjyra e lëkurës (FOTO)

Doktorët Yi Fan dhe Hu Ueifeng, që të dy 42 vjeç u infektuan me koronavirusin e në spitalin shtetëror të Uhanit, teksa trajtonin pacientët e sëmurë nga koronavirusi.

 Në fillim të muajit shkurt gjendja e tyre u rëndua dhe ata u shtruan edhe vetë në gjendje të rëndë në spital.

Pas më shumë se një muaj trajtimi ata mbetën të habitur me ngjyrën që u kishte marrë lëkura pasi u përmendën në fillim të muajit prill.

Ngjyra jonormale e lëkurës së tyre, sipas mjekëve që u kujdesën gjatë periudhës së gjatë të terapisë intensive të tyre është shkaktuar nga dëmtimi i mëlçisë nga koronavirusi i ri.

Të dy mjekët që i shpëtuan virusit kanë qëndruar në aparatura mbështetëse të jetës, të njohura si ECMO, të cilat janë pajisje që kryejnë procedurën e pompimit të oksigjenit në gjak kur ky proces nuk mund të kryhet nga mushkëritë dhe zemra. Yi qëndroi për 39 ditë në këtë pajisje, ndërsa Hu për 99 ditë.

Ora 12:07
Covid-19, Programi Botëror i ushqimit: 265 milion njerëz në rrezik nga uria prej pandemisë

“Virusi nuk zgjedh. Ai prek vendet e industrializuara, por përhapet shpejt edhe në vendet në zhvillim. Ai nuk ndalet përballë urisë dhe godet popullsitë e varfëra. Për shkak të infeksionit, njerëzit në rrezik kequshqyerje ka të ngjarë të dyfishohen deri në fund të vitit, duke tejkaluar një çerek miliardë’.  

Ky alarm është dhënë nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP), i cili ka bërë parashikime sipas të cilave 135 milionë njerëzit e uritur mund të bëhen 265 milionë deri në fund të vitit 2020. Agjensia e Kombeve të Bashkuara gjithashtu thekson se programet mbështetëse mbeten të domosdoshme dhe se ato janë të domosdoshme për të paktën 100 milionë njerëz.

WFP ka listuar një seri vendesh që do të preken kryesisht nga kriza e urisë si Jemeni, Afganistan, Kongo, Siri, Etiopi, Haiti, Nigeri, etj. Në përgjithësi, në 55 vende janë të rrezikuar 135 milion njerëz.

Ora 11:40
Covid/OBSH: Lehtësimi gradual i masave të bllokadës nuk korrespondon me fundin e pandemisë

"Lehtësimi gradual i masave të bllokadës nuk korrespondon me fundin e pandemisë", -  Kështu u shpreh kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, dukë shtuar se " lehtësimi i kufizimeve nuk do të thotë që pandemia nuk ekziston më. Ndalimi i pandemisë kërkon përpjekje të përbashkëta nga individë , komunitetet dhe qeveritë të vazhdojnë të kontrollojnë përhapjen e këtij virusi vdekjeprurës ".

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mendon se bota ende nuk është përballur me më të keqen e pandemisë së COVID-19. Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se bota duhet të veprojë së bashku në një shkallë kombëtare dhe globale për të kapërcyer pandeminë.

Ai përsëriti thirrjet e tij për solidaritet global dhe unitet kombëtar dhe paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, më shumë njerëz do të vdesin.

“Pa këta të dy, na besoni, na pret më e keqja. Le ta parandalojmë këtë tragjedi. Ky është një virus i tillë që shumë njerëz ende nuk e kanë kuptuar. Ky virus ka lloje të reja të shprehive ngjitëse. Është shumë ngjitëse ashtu si gripi. Është një vrasës serioz si SARS dhe MERS. Ka kombinime të rrezikshme”, tha ai.

Ai gjithashtu mohoi pretendimet e SHBA-së që OBSH-ja fshehu informacionet nga vendet anëtare.

Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Vuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.

Ora 11:08
Covid-19, Gjermania pezullon 'Oktoberfest', festa më e madhe e birrës në botë (VIDEO)

Autoritetet në Gjermani kanë vendosur të pezullojnë Oktoberfest, festa më e madhe e birrës në botë pasi sipas tyre rreziku nga infektimi është shumë i lartë

Ata thanë gjithashtu se gjatë festimeve është shumë e vështirë të ruhet distanca sociale për të mos folur pastaj për detyrimin e mabjtjes së maskave dhe se festa mbarëpopullore gjermane, “ose bëhet siç duhet ose nuk bëhet fare”

Oktoberfest ishte planifikuar të zhvillohej këtë vit midis 19 shtatorit dhe 4 tetorit. Festa tërheq çdo vit mijëra turistë nga e gjithë bota  dhe garanton për qytetin e Mynihut të ardhura financiare të mëdha. Llogaritet se ditët e festës qarkullojnë rreth 450 milionë euro. Rreth një milion vizitorë prenotojnë hotelet e kryeqytetit bavarez gjatë javëve të festivalit me mbi dy shekuj traditë.

Kjo nuk është hera e parë që Oktoberfest është anuluar për shkak të një epidemie: në vitin1854 dhe në vitin 1873, pandemia e kolerës ndaloi festimet. Që nga themelimi në vitin 1810, Oktoberfest është anuluar njëzet herë, zakonisht gjatë luftërave.

Ora 10:06
Covid/Gjermania publikon shifrat pas lehtësimit të masave kundër koronavirusit

Autoritetet në Gjermani kanë raportuar se në vend janë regjistruar 1,785 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit, të cilat e rrisin në mbi 143,000 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.

Instituti i sëmundjeve infektive Robert Koch tha po ashtu se 194 njerëz kanë vdekur në 24 orët e kaluara, duke e çuar në 4,598 numrin e viktimave nga koronavirusi në Gjermani.

Shifrat e fundit paraqesin një rritje të lehtë të infektimeve të reja, pas dy ditësh rënieje.

Qeveria gjermane ka thënë se koronavirusi është nën kontroll dhe ka lejuar këtë javë hapjen e disa dyqaneve të vogla. Megjithatë, kancelarja Angela Merkel ka kërkuar që Gjermania të jetë e kujdesshme dhe e disiplinuar në luftën kundër koronavirusit, për të shmangur, siç ka thënë ajo, rikthimin e sëmundjes në javët e ardhshme.

Gjermania do ta shohë brenda dy javësh nëse relaksimi i pjesshëm i kufizimeve në jetën publike, e ngre lart nivelin e infeksionit, ka thënë Merkel.

Gjermania, edhe pse ka numër të madh të të infektuarve, ajo ka numër më të vogël të viktimave krahasuar me vendet tjera evropiane: Italinë, Spanjën dhe Francën – secila me mbi 20,000 të vdekur. Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive.

Ora 09:13
Covid/Itali, Kryeministri Conte: Rihapja e vendit duke filluar nga data 4 maj. Programi për fazën 2 mjaftë kompleks (VIDEO)

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka njoftuar se rihapja e aktiviteteve prodhuese do të nis nga data 4 maj dhe se brenda kësaj jave do të komunikojë detajet e planit për fazën 2, që sipas tij “është një program shumë kompleks”

Përmes faqes së tij në facebook, Conte shkruan se “ Qëllimi është të rihapim vendin duke filluar nga data 4 maj.  Edhe nëse udhëzimet do të jenë kombëtare, nuk do të jenë të njëjtat në çdo rajon të vendit”.

Kryeministri italian shkruan gjithashtu se “Ne duhet të veprojmë në bazë të një programi kombëtar, i cili sidoqoftë merr parasysh veçoritë territoriale, sepse karakteristikat janë të ndryshme dhe kushtet nuk janë te të gjitha rajonet si në Lombardi. Edhe gjendja e strukturave spitalore ndryshon nga njëri rajon në tjetrin”, duke shtuar se si kryeministër i vendit ai nukdo të lejojë kurrë “që të krijohen ndarje", dhe se "do të marrim vendime në interesin e të gjithë vendit”.

Conte shkruan gjithashtu se puna e qeverisë vazhdon dhe ajo po ndihmohet nga grupi i ekspertëve “në mënyrë që të koordinohet menaxhimi i fazës 2, ajo e bashkëjetesës me koronavirusin”.

Kryeministri italian pastaj theksoi nevojën e ngutshme të të gjitha bizneseve për të rifilluar punën sa më shpejt të jetë e mundur por çdo vendim do të merret me përgjegjshmëri duke u bazuar në situatën pandemike në vend.

Për herë të parë që nga fillimi i epidemisë, bilanci i koronavirusit nw Itali ka shenjën minus.
Frenimi ka qenë i qëndrueshëm për disa ditw rresht dhe vlerat negative të ditës së djeshme janë për ekspertët një tregues i rëndësishëm për vendimet që do të merren nga qeveria.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?